Salihi humbet match point-in e Rapid
Hamdi Salihi është rikuperuar nga dëmtimi që e mbajti jashtë fushave javën e fundit. Sulmuesi shqiptar u aktivizua vetëm për pak minuta gjatë sfidës që Rapidi i Vjenës barazoi 0-0 në fushën e tij përballë Lask Linz. Me këtë rezultat, skuadra e drejtuar nga trajneri Peter Pakult duket se i ka dhënë lamtumirën ambicieve për titullin kampion në Bundesligën austriake. Salihi u fut në fushën e lojës në minutën e 84-t, duke zëvendësuar Kulovits, ndërsa në sekondat e fundit të takimit ai kishte një shans të mirë për të shënuar. Megjithatë, shkodrani 26-vjeçar nuk ka arritur të shfrytëzojë mundësinë e krijuar, pasi diagonalja e tij drejt shtyllës më të largët përfundoi jashtë portës kundërshtare. Mediat austriake e kanë cilësuar këtë episod si “match point”-in e fundit, e përkthyer ndryshe shansin e fundit të shpërdoruar për të marrë pikët e plota. Ndërkohë, duke parë rrezikshmërinë që Salihi krijoi përpara portës vetëm pas pak minutave, është ngritur pyetja nëse aktivizimi i shqiptarit ishte i vonuar.
#