Vonohet përgjigjja për Kosovën, FIFA i kërkon FFK të ketë durim
Federata Kosovare e Futbollit vazhdon të presë konkluzionet e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, të mbajtur më 18 dhe 19 mars. Aty është diskutuar kërkesa e FFK-së për njohjen e certifikatës ndërkombëtare, ndërsa FIFA kishte marrë përsipër që vetëm një javë pas mbledhjes t’i nisë FFK-së një shkresë me të gjitha përfundimet e nxjerra. Por, edhe pse ka kaluar rreth një muaj, letra ende nuk ka mbërritur. Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i federatës kosovare, theksoi se rreth kësaj vonese ka pasur bisedë me drejtorin e çështjeve ligjore të FIFA-s, Marko Viliger, i cili i ka kërkuar palës kosovare të ketë durim. “Kam biseduar me drejtorin e çështjeve ligjore në FIFA-s, Viliger, dhe ai ka kërkuar nga ana jonë që të kemi durim, pasi sipas tyre kërkesat që ne kemi parashtruar janë duke u shqyrtuar. Ne do të vazhdojmë të presim përgjigjen”, konfirmoi Salihu për kosovaren “Koha Ditore”. Kërkesat e paraqitura nga FFK-ja nuk ishin përmendur në njoftimin zyrtar të FIFA-s, ndërsa rreth tyre nuk u diskutua as në konferencën pas mbledhjes së KE-së, që dha presidenti Sep Blater. Në nëntor të vitit 2009, kosovarët kishin kërkuar njohjen e certifikatës ndërkombëtare dhe që klubet në Kosovë të merrnin pjesën e tyre të përqindjes nga transferimi i lojtarëve në kampionatet europiane.
#