Rishfaqet Xhani: Unë, numri 1 i Partizanit
Në momentin kur dukej se te Partizani gjithçka po ecte në rrugën e duhur, regjistrohet përplasja e radhës mes drejtuesve të kuq. Fitorja me Elbasanin, që i ka ngjitur të kuqtë një hap më pranë Kategorisë Superiore, është vënë në hije nga “lufta për pushtet” ndërmjet ish-presidentit Albert Xhani dhe Paro Laçit, njeriut që gjatë këtyre javëve ka mbajtur postin e administratorit të klubit. Nëpërmjet postës elektronike, Xhani ka njoftuar për ndryshimin e radhës në strukturat e shoqërisë aksionere të skuadrës kryeqytetase. Lulëzim Sallaku, ortaku me përqindjen më të ulët të aksioneve (vetëm 10 për qind) është përjashtuar, ndërsa njeriu që e ka drejtuar ekipin mes zhgënjimeve dhe polemikave gjatë dekadës së fundit, shndërrohet në aksionerin kryesor. Me 60 për qind të aksioneve, kundrejt 40 për qind që zotërohen nga Laçi, ai rimerr drejtimin. Veprimi i tij i parë ka qenë largimi i Laçit nga posti i administratorit, kompetenca të cilat i kalojnë Xhanit. Diçka e tillë është pranuar edhe nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, e cila konfirmonte ndryshimet e reja në “Partizani Sh.A”. Prej fillimit në dokumentacionin e QKR-së shkruhej se Sallaku, i cili zotëronte 10 për qind të aksioneve është larguar, ndërsa pjesa e tij i kalon Xhanit. Ky i fundit merr drejtimin e “demave”, në momentin kur ata janë drejt rikthimit në elitë, pavarësisht se gjatë këtyre javëve të fundit nuk ka qëndruar për asnjë moment pranë skuadrës. “Unë jam administratori i Partizanit, duke qenë se jam aksioneri më i madh. Ndërsa Paro Laçi është vetëm një ortak, i cili tashmë duhet të përmbushë detyrimet e veta, ashtu siç e parashikon kontrata. Duke qenë se ka 40 për qind të aksioneve, për 18 muajt në vazhdim ai duhet të zbatojë kontratat që ka lidhur me futbollistët: nuk duhet t’i terrorizojë sportistët, por t’i paguajë”, ishin fjalët e Xhanit, që për ironi ka tre vjet që akuzohet se nuk i ka dhënë lojtarëve rrogat sipas kontratave. Më tej, ai shtoi: “Përqindja më e madhe bën që unë të jem njëshi i klubit, këtë e konfirmon edhe dokumentacioni i zyrave të shtetit, i ardhur nga QKR-ja. Aksioneri Laçi duhet të përmbushë detyrimet, në të kundërt do t’i drejtohem rrugës ligjore. Për sa i takon strukturave të klubit, duke filluar nga trajneri, asgjë nuk do të ndryshojë”.
E pashmangshme që të mungonte reagimi i Paro Laçit, i cili e ka cilësuar këtë ngjarje si manovrën e paligjshme të radhës që bën Xhani. Ai ka theksuar se do të kërkojë sqarime, ndërsa kërcënoi se do t’i drejtohet rrugës ligjore. “Xhani është mësuar me gjëra të tilla dhe duke e njohur mirë, mund të them vetëm se kjo është një tjetër prej manovrave të tij të paligjshme. Besoj se duhet të jetë bërë ndonjë gabim nga QKR, e nëse gjërat nuk zgjidhen do t’i drejtohem rrugës ligjore. Ky problem nuk do të kalojë lehtë, do të kërkojë sqarime për gjithçka, pasi kemi të bëjmë me një vendim të jashtëligjshëm”, deklaroi Laçi. Shoqëria aksionere u krijua në mes të dhjetorit 2009, me synimin për të rikthyer Partizanin në Superiore, por vetëm pas katër muajsh marrëdhëniet ndërmjet aksionerëve duket se kanë marrë goditjen përfundimtare.
#