E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokol Ishka denoncon Paro Laçin në polici për dhunë zike

Ngjarja Mesfushori përjashtohet nga Partizani, dyshohet për tolerim kundër Elbasanit

Dyshimet për tolerim në ndeshjen me Elbasanin, kanë bërë që te Partizani të plasë një tjetër çështje. Mesfushori Sokol Ishka ka akuzuar ish-administratorin e klubit, Paro Laçi, për ushtrimin e dhunës fizike. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Komuna e Parisit” në kryeqytet, kur aksioneri i klubit të kuq dhe futbollisti janë përballur. Sipas dëshmitarëve, debati ka degjeneruar në një përplasje fizike, ku Laçi ka dhunuar Ishkën. Shkak janë bërë akuzat e drejtuesit të skuadrës se futbollisti ka tentuar të shesë ndeshjen kundër Elbasanit. Takimi, i cili shihej si një duel direkt për një “biletë” në Kategorinë Superiore, përfundoi me fitoren 1-0 të të kuqve. Ishka e nisi sfidën si titullar, ndërsa u zëvendësua në minutën e 70-të, pasi fillimisht u mendua për një dëmtim. Megjithatë, zemërimi i Laçit erdhi pas një mesazhi në telefonin e lojtarit. Sipas burimeve ende të pakonfirmuara, “sms”-ja vinte nga ish-trajneri, Skerdi Bejzade, ndërsa përmbajtja e tij nuk i linte shumë vend imagjinatës: “Hajde të të takoj, se kam një porosi nga Beni”, shkruhej, duke iu referuar ndoshta presidentit Arben Laze. Futbollisti nuk ka preferuar që çështja të mbyllet me kaq, ndërsa ka depozituar padi penale në Komisariatin numër 2 të Tiranës kundër ish-administratorit, Paro Laçi.

Mesfushori ka deklaruar se është akuzuar me pa të drejtë për tentativë trukimi të ndeshjes, ndërsa foli edhe për ushtrim dhune. “Isha më i miri në fushën e lojës, deri në momentin kur pësova dëmtim dhe u detyrova të zëvendësohesha. Por, Laçi më ka akuzuar për tolerim në ndeshjen me Elbasanin dhe më pas gjithçka degjeneroi deri në ushtrim dhune ndaj meje”, tha Ishka. Në anën tjetër, ish-administratori ka mohuar akuzën, duke e cilësuar të pavërtetë. “Gjatë gjithë paradites kam qenë në federatë, ku kam depozituar kërkesën për përjashtimin e futbollistit Sokol Ishka nga skuadra e Partizanit. Më pas kam qenë në ambientet e klubit, ku vendimin e marrë ia komunikova stafit teknik dhe skuadrës. Rreth orës 16:00 shkova në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ për futbollin e femrave dhe gjatë gjithë kohës kam qenë në vëmendjen e mediave dhe të kamerave”, tha Laçi.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›