Cana, blerja e 31-të më e mirë e verës
Ndërkohë që kampionati në Angli është drejt fundit, të gjitha klubet e Premiershipit po përgatiten për merkaton e ardhshme. Në këtë kohë, tabloidi “Daily Mail”, në suplementin “Sportsmail”, ka publikuar një listë me 50 blerjet më të mira në ishull: lojtarë të cilët kanë arritur që gjatë këtij edicioni të bëjnë diferencën në skuadrat e tyre të reja. Mesfushori shqiptar, Lorik Cana, ndodhet në vendin e 31-të të këtij klasifikimi, pas transferimit nga Olimpik Marseja te Sandërlendi, për shifrën 5.5 milionë euro (5 milionë sterlina). “Shqiptari 26-vjeçar, karakteristika e të cilit janë ndërhyrjet e ashpra, është shndërruar në idhullin e tifozëve në ‘Stadiumin e Dritës’. Sjellja e tij në fushë dhe eksperienca e jashtëzakonshme kanë bërë që Canës t’i besohet shiriti i kapitenit, vetëm pak javë pasi firmosi kontratën 4-vjeçare”, ishte komenti i gazetës. “Mesfushori është paraqitur në nivelet e pritura, ndërsa Sandërlendi tashmë ka krijuar një distancë sigurie nga zona e rënies nga kategoria”.
#