Salihi, i 72-i mes golashënuesve europianë, më mirë se Ronaldinjo
Hamdi Salihi është golashënuesi më i mirë shqiptar në qarkullim për momentin. Këtë nuk e vërtetojnë vetëm tri golat e tij të shënuar me Kombëtaren në katër ndeshjet e fundit të kuqezinjve, por është renditja përfundimtare e bomberave të Europës e klasifikuar tashmë nga Instituti i Historisë dhe Statistikave të Futbollit Ndërkombëtar (IFFHS). Shkodrani i Rapidit të Vjenës renditet i 72-i në Europë për sa u përket golave të shënuar në kampionatet futbollistike europiane në sezonin 2009-2010. Sulmuesi 26-vjeçar realizoi 17 gola në kampionatin austriak, duke arritur në kuotën e 22.5 pikë, pasi koeficienti i Austrisë është 1.5. Golashënuesit më të mirë te Rapidi ishin Hofman (20 gola) dhe Jelaviç (18 gola). “Këpuca e artë” e Europës është sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, i cili me 34 golat e tij në kampionatin spanjoll ka 68 pikë (koeficienti 2.0). Didier Drogba i çelsit (29 gola/58 pikë) dhe Antonio di Natale i Udinezes (29 gola/58 pikë) janë në vendin e dytë. Lojtari me më shumë gola në Europë sezonin e kaluar ishte sulmuesi i Ajaksit të Holandës, 35 gola, por koeficienti i kampionatit holandez është 1.5 dhe pikët e fituara nga Suarez janë 52.5. Interesant është një fakt: Salihi ka lënë pas emra të tillë si Samuel Eto’o i Interit (12 gola/24 pikë), Ronaldinjon e Milanit (12/24) dhe Aleksandër Pato (12/24). Në listën e 150 më të mirëve në Europë nuk është përfshirë Daniel Xhafaj, fituesi i “Këpucës së artë” në Shqipëri, i cili realizoi 18 gola, por koeficienti i kampionatit shqiptar është vetëm 1 pikë (nënkupton vetëm 18 pikë).
#