E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, dilema për të ardhmen e Fushajt mban peng edhe trajnerin

Zhvillimet Mësohet se ka skaduar kontrata 4-vjeçare, pritet rinovimi i shpejtë i saj

E ardhmja e Vllaznisë vazhdon të mbetet një enigmë. Kjo, më shumë se sa një bllokim tratativash, ka të bëjë me një vonesë procedurale. Gjithçka është e lidhur me të ardhmen e drejtimit të klubit të shkodranëve. Sipas burimeve të besueshme pranë klubit dhe Bashkisë së Shkodrës, kontrata e presidentit aktual të kuqebluve, Valter Fushaj, është 4-vjeçare, dhe sezoni që sapo u mbyll ishte i katërti për të në krye të Vllaznisë. Gjë që nënkupton se kjo kontratë ka skaduar tashmë dhe për të ardhmen do të duhet një tjetër marrëveshje mes bashkisë së qytetit me tradita të mëdha në sportin shqiptar dhe presidentit Fushaj. Një gjë e tillë, edhe pse e njohur si problem, duket se po merr vëmendjen e duhur nga palët e përfshira në këtë mes. Kjo periudhë është e mbushur me heshtje, ndërkohë që mësohet se është presidenti Fushaj ai që ka bllokuar të gjitha zhvillimet në klubin shkodran, pasi kërkon nënshkrimin e kontratës së re dhe pastaj të nisë nga puna për afrimin e një trajneri dhe më pas edhe të përforcimeve të nevojshme për një skuadër, që do të ketë për detyrë ta ngjisë skuadrën në vendin që i takon, mes pretendenteve për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë në edicionin e ardhshëm. Burime të besueshme pohojnë se numri një i klubit kuqeblu kërkon më shumë garanci administrative dhe financiare nga Bashkia e Shkodrës. Por një gjë të tillë nuk e ka gjetur ende. Kjo ka sjellë edhe ngërçin në lëvizjet e klubit shkodran në merkato. Gjithsesi gjasat që mes palëve të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe të nënshkruajnë për një tjetër kontratë 4-vjeçare, e cila do ta lidhë Fushajn me Vllazninë edhe për 4 edicionet e ardhshme, janë të mëdha. Megjithatë, presidenti në fuqi i kuqebluve nuk ka hequr dorë nga pista për gjetjen e trajnerit që do të drejtojë skuadrën në sezonin e ardhshëm. Burime të besueshme pranë tij bëjnë të ditur, edhe pse jo zyrtarisht, se Fushaj sot pritet të takohet kokë më kokë me një prej kandidatëve më potencialë, pikërisht Shkëlqim Muçën, trajnerin e saposhpallur kampion nën drejtimin e Dinamos. Konkurrenca në pankinën e shkodranëve është shumë e madhe, pasi një rival i fortë i Muçës në këtë drejtim është malazezi Mojas Radonjiç, drejtori aktual i ekipeve kombëtare të Malit të Zi, ish-trajner i disa ekipeve malazeze dhe greke, me një prej të cilën ka luajtur edhe në kupën UEFA. Kandidatura e tij ka fituar shumë pikë, pasi duket se pëlqehet nga vetë presidenti. Ndërsa mbetet në pistë emri i trajnerit të Gramozit, Agim Canaj.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›