E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Pas futbollit, zbulues talentesh

Sulmuesi shqyrton ofertat për të ardhmen, por “prenoton” një detyrë në FSHF

Në sezonin 2008-2009 të Serisë A, ishte një prej protagonistëve të mbijetesës së Kievos. Por, edicioni që sapo u mbyll ka qenë një prej më të vështirëve për Erjon Bogdanin. Konkurrenca te veronezët ishte mjaft e fortë, ndërsa urdhrat që trajneri Di Karlo merrte nga drejtuesit e klubit, kanë bërë që sulmuesi shqiptar të qëndronte më së shumti në stol. 33-vjeçari tregon prapaskenat e “divorcit” nga Kievo, po shqyrton ofertat nga klubet italiane, por edhe të kampionateve të ndryshme europiane, ndërsa zbulon edhe projektet për të ardhmen. Ai nuk e sheh veten pranë futbollit në detyrën e trajnerit, por “prenotohet” si zbulues talentesh pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

Me çfarë po merret aktualisht Bogdani?

Në këto momente po mendoj për martesën (sulmuesi do t’i japë fund beqarisë të hënën në Salerno) dhe më pas do të vendosë rreth së ardhmes si futbollist profesionist. Kam dy apo tri oferta në Itali, por nuk mungojnë as propozimet në kampionate të tjera europiane.

Kievo të ofroi rinovimin e kontratës, megjithatë nuk e pranove…

Afro tre muaj më parë, më thirrën në zyrat e klubit dhe më ofruan kontratë 1-vjeçare. Natyrisht që e refuzova, pasi jam i bindur se mund të luaj edhe për dy apo tri vite të tjera në nivele të larta. Nuk më dukej e leverdishme të rinovoja vetëm për një sezon.

Kjo solli edhe mënjanimin tuaj nga skuadra. Si e përjetuat situatën e krijuar?

Nuk ishte diçka e këndshme, megjithatë i kuptoj arsyet e Kievos. Kur një lojtar është drejt përfundimit të kontratës, klubi preferon që të përqendrohet te futbollistët e tjerë.

A do të ishit i gatshëm të luanit edhe në Serinë B?

Kjo varet nga planet dhe ambiciet që ka klubi. Po jap një shembull: nëse do të më krijohej mundësia të transferohesha te Siena, nuk do ta kisha problem. Me aq sa jam i informuar, drejtuesit e kësaj skuadre synojnë të ngjiten menjëherë në Serinë A.

Preferoni kampionatin italian, apo një ligë tjetër?

Nëse oferta do të ishte e ngjashme, natyrisht që Italinë. Mendoj se kam ende kohë për të provuar aventurën në një kampionat tjetër.

Sa i vërtetë ishte interesimi i Katanias gjatë merkatos së janarit?

Trajneri Mihajloviç më telefononte thuajse përditë për të më bindur që të pranoja ofertën e kësaj skuadre. Por Kievo nuk pranoi që unë të largohesha. Nuk e shoh si ndonjë dramë, kjo është pjesë e lojës.

çfarë do të pëlqente të bëje pas karrierës si futbollist?

Me siguri nuk do të më pëlqente të punoja si trajner. Më tepër e shoh veten si vëzhgues apo zbulues talentesh, ndoshta për Federatën Shqiptare. Gjithsesi, për momentin jam i përqendruar që të luaj sa më shumë.

Ku do ta kaloni muajin e mjaltit?

Pas martesës do të shkoj në Nju Jork, Majami dhe Meksikë. Më pas do të kthehem në Itali për të marrë lajme të mira nga menaxheri im.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›