E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditi gjyqtarin, 1 vit pezullim Malajt

Disiplina

Portieri i Turbinës, Eni Malaj, është pezulluar me një vit nga të gjitha aktivitetet futbollistike, pasi të shtunën ishte protagonisti negativ në sfidën Skrapari-Turbina. Cërrikasit humbën me rezultatin 1-0 në këtë sfidë, pas një supergoli të Beqollit, nga distanca rreth 35 metra, ndërsa portieri i kësaj skuadre goditi me grusht gjyqtarin e ndeshjes. Kartoni i kuq që ai mori të shtunën, u shoqërua me një ndëshkim shembullor nga Komisioni i Disiplinës. “Lojtari i KF Turbina, Eni Malaj, për goditje me grusht të arbitrit kryesor, përjashtohet një vit nga aktiviteti futbollistik dhe gjobitet me 200 000 lekë të reja”, theksohej në vendimin e djeshëm. Kategoria e Parë, por edhe kampionatet inferiore në përgjithësi, mbeten problematike për sa i takon dhunës ndaj “xhaketave të zeza”. Ndërkohë, në vendimet e Disiplinorit spikatin edhe problemet e shumta në kampionatet e të rinjve dhe para të rinjve. Skuadrat largohen nga fusha, si në rastin e U-17 të Memaliajit, që humben 2-0 në tavolinë ndeshjen me Bylisin, apo ekipe që nuk e marrin mundimin të paraqiten në qytetet ku duhet të luajnë, si U-17 dhe U-19 të Sopotit dhe Gramshit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›