E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihi, një bomber për Rapidin: Maierhofer, faleminderit që ike

Në më pak se një muaj e gjysmë, Hamdi Salihi është shndërruar në beniaminin e ri të tifozëve të Rapidit të Vjenës. Sulmuesi shkodran, me dy golat e tij për rekordmenët austriakë, ishte "aktori" përcaktues i fitores 3-1 kundër Austria Magna. Me këtë dopjetë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare arrin në kuotën e 3 golave me fanellën e Rapidit në kampionatin austriak dhe një tjetër gol e ka shënuar në Kupën e Austrisë. Me ish-skuadrën e tij, SV Ried, shënoi dy gola në këtë fillim sezoni. Gjë që e çon në 5 numrin e golave sezonalë në këto tetë ndeshje të para të sezonit të ri. Rapidi është shndërruar në një skuadër e jashtëzakonshme, e cila renditet e katërta në klasifikim me 15 pikë, 5 më pak se kryesuesit, që kanë një ndeshje më shumë. Një ndër gjërat më të pëlqyera të tifozëve të kësaj skuadre model është pikërisht sulmuesi shqiptar. Një koment të tillë e bën e përditshmja e njohur austriake "Der Standard". "Në sulm Rapidi ka një bomber si Hamdi Salihi, aktualisht 25 vjeç, shkruante gazeta prestigjioze. Shqiptari erdhi nga Riedi në këtë ekip si zëvendësuesi i Stefan Maierhofer, i cili u shit tek Uloverhemton në Premier League. Dhe ai e ka bërë punën si duhet, edhe pse është gati 20 centimetra më i shkurtër. Kundër Austria Magnas ai shënoi dy gola. Mund të kishte shënuar pesë, por besoj se nuk duhet ‘ta lodhim‘ menjëherë. Salihi është krejt e kundërta e Maierhoferit. I mbyllur në vetvete, i turpshëm, modest, dhe që nuk bën shumë gjeste teatrale". Unë duhet t‘i them faleminderit Maierhoferit, shprehet vetë Salihi për "Der Standard". Nëse ai do të kishte qëndruar, unë nuk do të mund të kisha ardhur këtu". Kurioziteti nga Bundesliga austriake: Hamdi Salihi, me 37 gola në Austri (vetëm në kampionate), mban vendin e 60-të për sa i përket klasifikimit historik të golashënuesve në Bundesligën austriake, qysh kur ajo është themeluar si e tillë në vitin 1974. I pari është një tjetër ish-kandidat për stolin e Kombëtares sonë, Hans Krankl, 270. Në vendin e tretë ndodhet trajneri i tij aktual, Peter Pakult, me 187 gola. Me këtë ecuri që ka Salihi me shënimin e golave, pa dyshim që mund të futet të paktën në Top-20, nëse do të vazhdojë të luajë edhe për disa sezone të tjera aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›