E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi, një tripletë si shuplakë për Pakultin

Golashënuesi

Një mbyllje më të bukur se kjo, Hamdi Salihi zor se mund ta kishte ëndërruar. Sulmuesi shkodran i Rapidit të Vjenës është shndërruar në protagonistin e skuadrës së tij në fitore 1-3 në transfertë ndaj Matersburgut në ndeshjen e fundit sezonale. Trajneri Peter Pakult e ka aktivizuar për herë të dytë radhazi, që nga minuta e parë, pas një faze të dytë të sezonit ku e kishte lënë vazhdimisht në stolin e rezervave, duke e futur në fushë vetëm si zëvendësues në disa ndeshje. Por Salihi e ka shfrytëzuar maksimalisht këtë mundësi, duke qenë heroi i fitores së djeshme falë një triplete, që e rikonfirmon atë si një ndër golashënuesit më të frikshëm në kampionatin austriak. Në minutën e 17-të, shqiptari ka zhbllokuar rezultatin: Mori një asist nga Jelaviç, të cilin e ktheu në gol falë një goditjeje të saktë me kokë. Vendasit barazuan 1-1, por në të 68-n është sërish Salihi ai që rikthen avantazhin: Provojnë Hofman e Jelaviç me dy gjuajtje, por portieri i vendasve kundërpërgjigjet. Topi i grushtuar prej tij shkon te Salihi, që nuk e ka të vështirë të shënojë nga 3 metra distancë. Në minutën e 82-të shqiptari ndodhet në vendin e duhur, në momentin e duhur, dhe me kokë shënon edhe golin e tretë. Një minutë më vonë do të zëvendësohej. Me këtë tripletë Salihi pozicionohet i pesti në listën e golashënuesve më të mirë të Austrisë, në kuotën e 17 golave në 29 ndeshje të luajtura (ose e thënë saktë, 17 gola në 1713 minuta lojë, me një mesatare 1 gol për 100 minuta).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›