E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreh të atin, shpallet në kërkim 26-vjeçari

Krujë

Rreh të atin, shpallet në kërkim një 26-vjeçar nga fshati Gramëz i Rrethit të Krujës. Burime nga policia e Krujës bëjnë të ditur se ka nisur procedimin penal ndaj 26-vjeçarit me inicialet T.D., i cili akuzohet se ka dhunuar fizikisht të atin, 49-vjeçarin M. D., duke i shkaktuar plagë të rënda në trup dhe kokë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 23:00 të së mërkurës, në fshatin Gramëz të Krujës. Ndërsa M. D. ka nisur të debatonte me të birin se ai duhej të punonte, pas pak momentesh debatesh, T. D. ka nisur ta dhunojë të atin, M. D., i cili është dërguar për mjekim në spitalin e Krujës. Më pas ai ka shkuar të bëjë denoncim në Komisariatin e Policisë së Krujës. Sipas burimeve zyrtare mësohet se M.D. është shprehur se prej shtatë vjetësh dhunohej nga i biri. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim 26-vjeçarin, ndërsa dosja penale në ngarkim të tij është dërguar në Gjykatën e Krujës, në pritje edhe të nisjes së gjykimit. Ndërkohë, babai i dhunuar ka kërkuar mbrojtje të veçantë nga policia, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme të të birit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›