E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi shënon, por jashtë loje. Rapidi barazon 1-1 në Bullgari

Europa League Sulmuesi kuqezi aktivizohet si zëvendësues për vetëm 25 minuta lojë

Rapidi i Vjenës nuk është se po kalon një moment të mirë si në kampionatin austriak ashtu edhe në futbollin ndërkombëtar. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe mbrëmë, kur skuadra me më shumë tituj në Austri, nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim 1-1 në takimin e luajtur në transfertë ndaj modestëve bullgarë të skuadrës Beroe Stara Saroga. Kualiteti dhe potenca financiare mes dy klubeve është e pakrahasueshme, megjithatë Rapidi me shumë vështirësi mundi të dalë nga “Georgi Asparuhov” i Sofjes me një barazim. Takimi nisi më i mirë për austriakët, të cilët këmbëngulën gjatë për të shënuar golin e avantazhit, por zhbllokimi i rezultatit ka ardhur vetëm në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, ku kapiteni Hofman realizoi nga pika e 11-metërshit. Austriakët nuk e ndryshuan mënyrën e lojës as në pjesën e dytë, kur insistimi për të shënuar edhe golin e sigurisë (atë të 2-0) u shtua. Siç është bërë traditë tashmë, sulmuesi shqiptar pjesën e parë e kishte parë nga stoli i rezervave. Vetëm 15 minuta pas startit të pjesës së dytë, kur rezultati nuk po ndryshonte nga avantazhi 1-0 i golit të Hofman, trajneri Peter Pakult vendosi të hedhë në fushën e lojës bomberin shqiptar. Megjithatë loja e kundërshtarëve e detyroi Salihin që për shumë minuta të impenjohej në manovrën mbrojtëse të skuadrës. Gjithsesi provoi reflekset e portierit kundërshtar me një gjuajtje nga krahu i majtë. Atë që nuk mundi ta bënte në minutën e 71’ sulmuesi i Kombëtares kuqezi e realizoi në të 78: mori një asist nga Jelaviç dhe bëri atë që di të bëjë më mirë, e çoi topin në rrjetë. Por goli nuk vlen. Gjyqtari lajmëron se Salihi ishte në pozicion jashtë loje. Vetëm pak më vonë, bullgarët arrijnë të gjejnë golin e barazimit 1-1 me anë të Zlatinov. Ndeshja nuk ka më histori dhe rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund. Gjithsesi nuk mund të konsiderohet rezultat i keq për Rapidin barazimi 1-1, pasi gjithsesi kualifikimi është shumë pranë në ndeshjen e kthimit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›