E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana ska financa për projektin fitues

Shefi i klubit pohon se donatorët ende i nuk kanë derdhur paratë sipas kontratës

Ambiciet e Tiranës nuk kanë ndryshuar dhe nuk ka mundësi të ndryshojnë ndonjëherë, për aq kohë që kësaj skuadre t’i “rëndojë” bluza. Por për sa kohë ky klub vazhdon të mos u qëndrojë besnik projekteve në letër, gjasat që të arrihen objektivat janë të pakta. Kjo, për faktin se edhe pse janë trumbetuar shumë kohët e fundit, financat që mbështesin projektin fitues të bardhebluve në letër, ende nuk janë siguruar. Një gjë të tillë e ka deklaruar shefi i klubit, Rauf Dimraj. Sipas tij, Tirana ka një projekt të qartë tashmë në letër, por që për t’u realizuar duhen financat e mjaftueshme. “Ne kemi një projekt, i cili mund t’i garantojë Tiranës një mbarëvajtje në sezonin e ardhshëm drejt realizimit të objektivave për të qenë pretendentja kryesore në luftën për titullin kampion dhe për Kupën e Shqipërisë, u shpreh dje Dimraj. Ky projekt është hartuar në bashkëpunim të ngushtë mes Bashkisë së Tiranës (pronarja e klubit), presidentit Refik Halili dhe klubit”. Edhe pse nuk janë bërë publike zyrtarisht detajet e këtij projekti, një gjë është e sigurt: Tirana synon gjithmonë të jetë pretendentja kryesore në luftën për titull. Një luftë, sipas gjasave të merkatos së kësaj vere, është shumë e vështirë të realizohet. Kjo, për shkak se shumë nga rivalët më të fortë të bardhebluve, si Dinamo, Vllaznia e Besa kanë bërë përforcime të konsiderueshme. Në një kohë që bardheblutë janë goxha mbapa në lidhje me një çështje të tillë. Për momentin është afruar një lojtar me peshë, siç është sulmuesi Pero Pejiç, por janë larguar disa të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës së sezonit të kaluar, si Muka, Devolli etj. Vonesat e Tiranës në merkato janë të kushtëzuara nga financat, të cilat ende nuk janë mbledhur. Problemeve të shumta të këtij klubi u janë shtuar edhe këto të fundit. Në letër gjithçka është zgjidhur. Këtë e konfirmon edhe vetë shefi i klubit. Por në realitet arka është bosh, ose thuajse bosh. “Projekti është gati, por mungojnë financat dhe të ardhurat e tjera, pohon Dimraj. Jemi në pritje që ato të derdhen në arkën e klubit, për të nisur zbatimi i këtij projekti”. është e çuditshme që një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, kur dihet fort mirë që një klub si Tirana, i cili ka ambiciet për të qenë skuadra për t’u mundur në sezonin e ardhshëm, është logjike të ketë përforcime nga merkato. Por në mungesë të financave, lëvizjet në afrimin e futbollistëve janë logjikisht të pamundura. Sikurse është bërë e ditur, zonja Shefikat Ngjela, edhe pse është rikthyer në rolin e saj si donatore, ende nuk ka derdhur shumë prej 200 milionë lekësh të vjetra, të parashikuara në kontratën me klubin. Po ashtu, kontratën nuk e ka likuiduar edhe zoti Refik Halili, i cili, sipas Dimrajt, vazhdon të mbajë titullin e presidentit dhe të sponsorit bardheblu. Moszbatimin e kontratave e konfirmon edhe vetë shefi i klubit. Nga fillimi i kampionatit na ndajnë vetëm 22 ditë, por bardheblutë janë me arkën bosh edhe për shkak të disa hatërmbetjeve apo burokracive. Nëse një gjë e tillë nuk zgjidhet shpejt, mos u çudisni të shikoni një Tiranë që lundron sërish në fundin e tabelës, si në fillim të sezonit të kaluar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›