Salihi, statistikat e mbajnë në majë
Kampionati austriak i futbollit ka mbyllur pjesën e parë të këtij sezoni dhe menjëherë i ka kthyer sytë nga statistikat për 19 ndeshjet luajtura deri tani. Por numrat janë ata që i japin të drejtën sulmuesit shqiptar Hamdi Salihi të qëndrojë në majë të listës, si një ndër lojtarët më të suksesshëm. Frytdhënës ka rezultuar transferimi i tij nga Sv Riedi (me të cilin kishte luajtur dy ndeshje në këtë sezon) te gjiganti austriak, Rapidi i Vjenës, pak orë para përfundimit të afatit të merkatos. Pas 18 ndeshjesh ku është aktivizuar në këtë javë të parë, ai pozicionohet i dyti në klasifikimin e golashënuesve më të mirë me 12 gola, 2 më pak se sulmuesi i Lask Linz, Roman Valner. Fakti që çudit më shumë është se shqiptari ka luajtur vetëm 4 herë si titullar me Rapidin, ndërsa është aktivizuar më shumë si zëvendësues luksi. Po ashtu Salihi pozicionohet i treti në listën e golave të shënuar me kokë me 3 tillë, po aq sa Jelaviç (i dyti) dhe një më pak se Kujliç (i pari). Ndërkohë që shqiptari ka regjistruar 18 goditje me kokë në portën kundërshtare në 18 ndeshjet e luajtura deri tani.
A. M