Përgjigje për KE, reforma në shëndetësi
Përgatitja e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Europian, drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, është duke u përgatitur nga grupi qendror i punës dhe specialistët e këtij dikasteri. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, kërkoi gjatë takimit të djeshëm angazhim maksimal nga administrata që ai drejton në përgatitjen e përgjigjeve të këtij pyetësori.
"Ky pyetësor na jep mundësinë për të reflektuar për të gjitha reformat e rëndësishme që janë bërë deri tani në fushën e shëndetësisë dhe atë çka kemi ende për të bërë", tha Vasili. Sipas tij, deri tani është identifikuar i gjithë personeli në nivelin qendror dhe në strukturat e varësisë që do t‘u përgjigjen pyetjeve brenda kapitujve të veçantë të pyetësorit. Ministria e Shëndetësisë ka një rol të rëndësishëm në plotësimin e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së. Ministri i Shëndetësisë theksoi: "Ky është një prioritet që ia kemi detyrim jo vetëm vetes, por gjithë shqiptarëve. Pa lënë mënjanë asnjë nga detyrimet tona, doja të sillja në vëmendjen tuaj dhe një herë se pyetësori është kryefjala e punës tonë". Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë është e përgatitur për gjithçka, pasi ata i kanë të gjitha resurset administrative dhe teknike për t‘iu përgjigjur në kohë dhe cilësisht kësaj sfide. "Puna do të jetë intensive dhe pa orare zyrtare. Pika e parë e raportimit ditor në zyrën time do të jetë ecuria e pyetësorit", sqaroi ministri i Shëndetësisë. Ai vlerësoi rolin dhe frymën e deritanishme të bashkëpunimit mes dikasterit që ai drejton dhe Ministrisë së Integrimit.
Sh.Me.