Gjurmët e regjisorit në Shkup
Shkupi ngjan i heshtur në një funddhjetor. Ritmi duket se ka ndalur poshtë shtresës së dëborës që ka mbuluar qytetin. Nuk dihet nëse ka pasur të njëjtën pamje edhe shumë vite më parë, më 1972. Udhëtojmë në gjurmët e punës dhe kujtimit të një artisti shqiptar, të regjisorit Kujtim Spahivogli, për të gjetur kujtimet për të, por edhe për t‘i ngacmuar. Atëkohë, ende pa u damkosur dhe dëbuar nga teatri, Kujtim Spahivogli kishte udhëtuar drejt Shkupit për të vënë në skenë "Karnavalet e Korçës". Filmi dokumentar kushtuar Spahivoglit si njeri, regjisor, artist dhe dramës së tij, do të ngacmonte nostalgjitë në këto ditë të ftohta. Shkallët e teatrit janë paksa të ngrira, por dera është e hapur. Në rrugë, në një heshtje të thellë të qëllon të shkëmbehesh tek-tuk me ndonjë njeri. Dikush e ka marrë rrugën drejt godinës ku vazhdon të prodhohet art, e dikush tjetër përkundet në mendimet e veta. Mbrëmjen e së dielës, në po të njëjtën skenë ku punoi në gjallje, rikthehet përmes një projeksioni. "Kujtim Spahivogli; kthim në tempullin e shenjtë", një realizim i 2005-ës me regji të Namik Ajazit i është kushtuar figurës së tij. Nuk ka shumë njerëz që të dynden në sallë, ndoshta edhe për arsye objektive, por janë ata që i ruajnë të gjalla kujtimet për të. Sot pjesa më e madhe i kanë flokët e thinjura. Hapat i hedhin më ngadalë se dikur. E po ashtu shkallët që të çojnë në sallën e teatrit nuk janë lehtësisht të ngjitshme. Elhame Billali, në një qeshje që përzien nostalgji, emocione, keqardhje, e sheh veten në një cep të posterit të vendosur si lajmërim për këtë aktivitet. Është një fragment nga "Karnavalet e Korçës", vënë në Shkup nga Spahivogli. Ishte vetëm 24 vjeç kur regjisori i besoi rolin e mësueses, Ditkës. Komenton një vete të saj që tashmë i ka humbur. Por është e lumtur. Ulur në një karrige të sallës ndjek përmes ekranit kalvarin e një artisti me të cilin i takoi të punonte veç një herë. Më tej do të dëgjonin veç lajme të shkurtra, të ardhura në ajër për dramën e një njeriu. I ka të gjalla kujtimet. Edhe ditët kur pas provave Spahivogli i vinte të këndonin me kitarë. I kanë mbetur në mendje edhe pak fjalë, që ai, regjisori, ia tha aktores çapkëne që kërkonte vëmendjen në ngjitjet e para në skenë.
Sapo keni parë një projeksion kushtuar Kujtim Spahivoglit. Çfarë përfaqëson pas shumë vitesh për ju kjo figurë?
Kanë kaluar shumë vite që kur unë e kam njohur Kujtim Spahivoglin. Atëkohë isha shumë e re kur ai erdhi të punonte në teatrin tonë, vetëm 24 vjeçe. Kisha pasur vetëm pak role të realizuara, por ai më besoi rolin e mësueses, Ditkës. Isha më e reja në staf. Kur e pashë filmin dokumentar pas kaq shumë vitesh, u emocionova shumë, i mbajta me zor lotët. Me Kujtimin na dukeshin aq të shkurtra provat, edhe pse punonim gjithë ditën. Ishte njeri shumë i gjallë. Pas provave, me kitarën me vete, uleshim e këndonim. Kishte shumë këngë që s‘i kishim dëgjuar asnjëherë e mundoheshim t‘i shkonim nga pas.
Ju keni qenë një aktore në hapat tuaj të parë. Çfarë solli kjo eksperiencë e të punuarit me të?
Më kanë mbetur shumë këshilla. Duke qenë aktore shumë e re, unë mendoja se duhet të isha në plan të parë për interpretimin. Një ditë u ulëm e më tha: Ti ke rol të dytë në këtë shfaqje. Nuk duhet të kërkosh t‘i bësh njerëzit me patjetër të qeshin, duhet të mbështesësh partneren tënde. Jam shumë e lumtur që kam punuar me të. Gjatë kësaj kohe kam punuar me shumë regjisorë nga Shqipëria, por ruaj një kujtim të veçantë për të. Në fund të premierës na bëri të gjithëve nga një karikaturë. I ekspozuam ato në hollin e teatrit, por të ndërgjegjësuar që mund të mos i gjenim më, i morëm shumë shpejt. E ruaj edhe sot, me nënshkrimin e tij të çmuar.
Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që punuat me të?
Ishte shfaqja e vetme, por jam më e pasur se kolegët e mi që nuk arritën të punonin asnjëherë me të.
A e takuat më, pas kësaj shfaqjeje?
Vetëm kur do ta shfaqnin pjesën edhe në Shqipëri, në tetor të 1972-shit. Ishim të ftuar si mysafirë në Tiranë me dy shfaqje: "E ikura" e Vasilika Loçkit dhe "Karnavalet e Korçës". U takuam atë vit dhe kurrë më. Kemi kërkuar të takohemi edhe më pas, por nuk dëgjuam më asgjë prej tij. Vetëm kur u kthye nga internimi mësuam se ishte sëmurë, se vuante i vetëm. Më pas mësuam se kishte ikur nga kjo jetë. Të gjithë shqiptarët kanë humbur shumë me ikjen e tij.
Ruani kujtime prej tij?
Kam vetëm pak fotografi. Por meqenëse ekzistojnë materiale filmike nga "Karnavalet e Korçës", do të ishte shumë mirë që teatri ynë, i cili vitin që vjen feston 60-vjetorin e krijimit, të kishte në arkivin e tij edhe këtë regjistrim.