Ikbale Kalaja vlerësohet me çmimin e parë
Konkursi mbarëkombëtar që mban emrin e peizazhistit më të njohur të qytetit të Korçës, Vangjush Mio, ka nxjerrë edhe këtë vit piktorët fitues të këtij evenimenti artistik, i cili është kthyer në një traditë për qytetin e Korçës. Pas aktivitetit të arteve figurative, "Ditët e Mios", që u zhvillua në vjeshtë, nën kujdesin e bashkisë së qytetit është organizuar edhe konkursi mbarëkombëtar i arteve figurative, "Vangjush Mio", në nderim të këtij piktori të popullit, emrin e të cilit mban edhe qendra kulturore e Korçës. Në edicionin e sivjetshëm të konkursit morën pjesë 55 krijues të artit figurativ jo vetëm nga Qarku i Korçës, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë. Mes pjesëmarrësve kanë qenë edhe piktorë nga Kosova dhe Mali i Zi. Krijimet e secilit prej tyre u shfaqën në një ekspozitë të përbashkët. Veprat e tyre u ekspozuan në galerinë e artit, "Guri Madhi", në prani të artdashësve, por edhe personaliteteve të artit që e ndoqën këtë konkurs si anëtarë të jurisë. Abaz Hado, kryetari i komisionit për vlerësimin e punimeve të piktorëve, e vlerësoi Korçën një vend mikpritës për artistët. Ai shtoi se është një rizgjim kulturor organizimi i aktiviteteve të shumta artistike. Juria vlerësoi me çmimin e parë të konkursit "Vangjush Mio" piktoren shkodrane Ikbale Kalaja. Dy çmime të dyta u ndanë mes artistëve korçarë, Vladimir Kaçaku dhe Vladimir Topi. Çmimin e tretë të këtij konkursi e fitoi piktori kosovar, Tafil Peçi, një pjesëmarrës i rregullt edhe i kolonisë së piktorëve të quajtur "Ditët e Mios". Sipas Abaz Hados, larmia e punimeve, ngjyrave dhe teknikave, si dhe këndvështrimet e piktorëve, erdhën në këtë ekspozitë me një nivel të lartë artistik dhe kjo ua vështirësoi përzgjedhjen dhe vlerësimin me çmime. "Vangjush Mio" tashmë ka mbërritur në edicionin e 14-të të tij. Në të njëjtën kohë ky është viti i dytë që konkursi zhvillohet në përmasa mbarëkombëtare me piktorë që vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe përtej kufijve të saj. Ekspozita me punimet e konkursit do të qëndrojë e hapur për disa ditë në qendrën kulturore që mban emrin "Vangjush Mio".
J.Dhimitri