50 lojtarë në provë për moshat kuqezi
Përfaqësueset e moshave kanë nisur dje grumbullimet stërvitore me lojtarët kandidatë për U-15 e U-17 që jetojnë në Greqi. Për tri ditë me radhë (deri më datë 23 dhjetor) trajnerët Sulejman Demollari dhe Ardian Mema do të vëzhgojnë elementë që janë pjesë e Akademive të skuadrave që militojnë në ligat profesioniste të vendit fqinj. Në total 50 futbollistë të vegjël, dy grupmosha me nga 25 futbollistë, do të luftojnë që të fitojnë një fanellë kuqezi. Grumbullimet, të cilat po zhvillohen në kryeqytetin grek, Athinë, janë parë si një zgjidhje e vlefshme për evidentimin e talenteve të rinj. Duke qenë se lojtarët e kanë shumë të vështirë, madje në disa raste të pamundur të sigurojnë leje nga skuadrat për të udhëtuar drejt vendlindjes, FSHF ka zgjedhur të zhvillojë testime në shtetet ku ata jetojnë. Grumbullime të ngjashme me Kombëtaret e moshave pritet të zhvillohen edhe në Itali ose Gjermani, dy vende ku jetojnë një numër i madh emigrantësh shqiptarë. Të pranishëm aty do të jenë edhe lojtarë të rinj, të cilët militojnë në skuadrat në shtetet fqinje si Zvicra, Austria apo edhe vendet nordike.
e. k.