E Diel, 1 Nëntor 2026

Salihu synon të sjellë Lennox Lewisin në Prishtinë

Prishtinë, 19 gusht - Ish-kampioni i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist, Lennox Lewis, është njëri ndër figurat e famshme që pritet të jetë i pranishëm në promovimin e dokumentarit kushtuar Aziz Salihut, "Historia shkruhet me të arritura". Këtë e ka bërë të ditur fituesi i medaljes së bronztë olimpike, Salihu, të mërkurën në një konferencë për shtyp.

Dokumentari "Historia shkruhet me të arritura" i kushtohet jetës së Aziz Salihut dhe do të promovohet më tetë shtator në ambientet e hotelit “Grand” në Prishtinë.

Krahas britanikut Lewis në promovim pritet të marrin pjesë edhe shumë fytyra të famshme nga të gjitha sferat e jetës. Pjesëmarrësi i trefishtë i Lojërave Olimpike, Aziz Salihu, ka njoftuar se për këtë ngjarje do të ftojë mbi 500 mysafirë.

"Po i bëj përpjekjet e fundit që në këtë manifestim të thërrasë njerëzit më të njohur të boksit. Jam në kontakte edhe me boksierin Lennox Lewis, të cilin dëshiroj ta sjellë në Prishtinë. Lewis nuk do të jetë i vetmi. Edhe shumë boksierë të famshëm do të jenë të pranishëm në promovimin e dokumentarit tim",ka thënë Salihu. Ai kërkoi mbështetje për t'i sjellë yjet.

"Jam shumë i lumtur që po realizohet ky dokumentar ku janë përfshirë të gjitha meçet dhe sukseset e mia. Ky dokumentar do të jetë rast i mirë edhe gjeneratat e reja që të njihen me të arriturat e mia".

Për realizimin e projektit Salihu falënderoi ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lutfi Hazirin, pastaj Behxhet Pacollin dhe produksionin "Antika", i cili do të shpërndajë falas dokumentarin.

Salihu dhe Lewis kanë garuar në kategorinë super të rëndë në olimpiadat e vitit 1984 dhe 1988. Në vitin 1984 Salihu fitoi medaljen e bronztë, ndërsa Lewis u eliminua në raundin e parë. Ndërsa pas katër vitesh Lewis doli i artë, ndërsa Salihu mbeti pa medalje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›