Tatimet: 686 fermerë aplikuan për kompensimin 10% përmes autofaturës, procesi vijon

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Procesi i aplikimit për përfitimin e kompensimit 10% për fermerët përmes autofaturës po vijon normalisht, ndërsa numri i kërkesave të dorëzuara në mënyrë elektronike është në rritje.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se deri më 14 korrik 2026 janë regjistruar 686 aplikime online, prej të cilave 665 janë në proces shqyrtimi ose janë miratuar nga autoritetet përkatëse.
Shuma totale e kompensimit të kërkuar nga fermerët ka arritur në rreth 1.85 milionë euro.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë fermerëve të regjistruar të aplikojnë në sistemin e-Filing për të përfituar kompensimin që u takon sipas legjislacionit në fuqi.
“Nëse jeni fermer i regjistruar, aplikoni në e-Filing dhe përfitoni kompensimin që ju takon”, thuhet në njoftim.
Për asistencë dhe sqarime lidhur me procedurën e aplikimit, fermerët mund të kontaktojnë në adresën e dedikuar të postës elektronike: info.fermeret@tatime.gov.al.
/m.m/ /a.g/