E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkelje në tregun e bonove të thesarit, mungon konkurrenca dhe legjislacioni

Autoriteti i Konkurrencës hetoi tregun primar të bonove, operatorët fshehin informacionin për publikun

Në tregun primar të bonove të thesarit shkelen kushtet e konkurrencës, mungon informacioni për publikun dhe legjislacioni ka mangësi të theksuara. Nga vëzhgimet Autoritetit të Konkurrencës është konstatuar se në banka të ndryshme që ofrojnë tregtimin

e bonove të thesarit në tregun sekondar, vihet re një mungesë e transparencës në informimin e klientëve përsa i përket bonove të thesarit. Sipas një raporti të Autoritetit të Konkurrencës mësohet se në vëzhgim është konstatuar mungesa e broshurave informuese në lidhje me bonot e thesarit, gjë që i mundëson klientëve njohjen më të mirë me këtë shërbim që ofrojnë bankat. Sipas raportit mësohet se në këtë treg hasen  pengesat ligjore dhe ekonomike për të hyrë në tregun e bonove te thesarit.


Asimetria në informacion
Klientët individë apo ndërmarrjet e vogla, nuk e kanë mundësinë për të siguruar informacion të gjerë për të bërë zgjedhjet e tyre. Kjo për faktin se në përgjithësi informacioni i paraqitur nga bankat është jo i plotë dhe jo i qartë, duke kufizuar kështu mundësinë e zgjedhjes së klientit, bëhet e ditur në raportin e Autoritetit të Konkurrencës. Nga ana tjetër Posta Shqiptare ofron shërbimin e arkëtimit nga individë të fondeve për pjesëmarrje në ankandin e Bonove të Thesarit. Individët mund të marrin pjesë në blerjen e bonove të thesarit me paraqitjen e tyre në sportelet të Postës Shqiptare sh. a. Individët duhet të paraqiten me dokument identifikues si letër njoftim, pasaportë, certifikatë personale me fotografi, për të kryer veprimet që lidhen me bonot e thesarit. Në raport citohet se për të analizuar nivelin e transparencës së bankave për klientët në lidhje me tregtimin e bonove të thesarit realizuam një vrojtim (vrojtimi datë, 29. 02. 2008 në disa banka që ofrojnë bono thesari gjatë monitorimit të tregut bankar, por rezultat janë analizuar për vite me radhe dhe raporti së bashku me konkluzionet dhe rekomandimet përkatëse ka përfunduar së përpiluari rreth një muaj më parë. Me rekomandimet janë njohur institucionet përkatëse të cilët duhet të ndërhynin në këtë treg që në fillim të këtij muaji. Sipas raportit mësohet se metoda e ndjekur ishte të sjellurit si konsumator i interesuar për të blerë BTH. Në shumicën e bankave te pyetura informacioni ishte shumë sipërfaqësor duke e konsideruar konsumatorin sikur te kishte vite që merrej me këtë treg. Në lidhje me dokumentacionin, komisionet dhe yieldin informacioni ishte me i qartë. Nga bankat e pyetura vetëm BKT ofronte informacion te shkruar me një përllogaritje te thjeshte te fitimit nëse investoje ne bono thesari dhe nuk i depozitoje paratë. Disa banka si BP dhe BE shërbenin vetëm si ndërmjetës ne tregun e letrave me vlere për llogari te BQ. Gjithashtu informacioni ndryshonte ne degë të së njëjtës bankë në zona të ndryshme gjeografike.


Tregu
Në tregun primar të bonove të thesarit mund të marrë pjesë çdo person juridik ose fizik, vendas ose i huaj. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje, që mund të konsiderohet si barrierë për hyrjen në treg, është 300 000 (treqind mijë) lekë. Ndërsa për të qenë pjesë e tregut sekondar me pakicë bankat ose subjektet e tjera duhet të marrin një licencë nga AMF, e cila jo vetëm jep licenca për tregun sekondar me pakicë por edhe e mbikëqyr atë. Në raport mësohet se për të marrë licencën për tregun sekondar me pakicë bankat duhet të trajnojnë stafet që do të ofrojnë këtë produkt dhe duhet të mbajnë llogari ditore që raportohen në AMF, duke përbërë në këtë mënyrë kosto shtesë. Ndërsa përsa i përket individëve, ata mund të marrin pjesë në tregun sekondar me pakicë duke blerë ose shitur bono thesari mjafton që të kenë 10.000 lekë. Duhet që banka që shet bono në tregun sekondar me pakicë të pajisë blerësin me një vërtetim shpallje fitues për veprimet e tregut primar dhe me një vërtetim blerjeje për veprimet e shitjes nga portofoli i vetë.


Monitorimi
Në përfundim të monitorimit të kryer në tregun primar të bonove të thesarit nga Sektori i Studimit dhe Analizës, Sekretari i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës bazuar në nenin 42, pika 1 të Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 Për mbrojtjen e konkurrencës, me anë të Vendimit Nr. 8, datë 15.07.2008 vendosi Hapjen e hetimit paraprak në tregun primar të bonove të thesarit. Me Vendim Nr. 98, datë 18.12.2008 Komisioni i Konkurrencës vendosi Hapjen e hetimit të thelluar për abuzimin ose jo me pozitën në tregun primar dhe sekondar të bonove të thesarit. Para vendimmarrjes, Komisioni i Konkurrencës zhvilloi një seancë konsultative me përfaqësuesit e institucioneve si Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes të cilët paraqiten komentet e tyre me shkrim dhe në formë verbale .

Banka e Shqipërisë zotëron 23 për qind të tregut
Banka e Shqipërisë që mban 22.98 % të portofolit nuk ndikon në çmimin e bonove të thesarit për shkak se oferta BSH është jokonkurruese bazuar në marrëveshjen me Ministrinë e Financave (yieldi i ofertës së tyre përcaktohet me yieldin mesatar të pranuar të ankandit pas shpalljes nga Ministria e Financave). Sipas raportit mësohet se konkurrent potencial për sa i përket shumave të ofruara dhe si pasojë edhe në nivelin e yieldit të pranuar të bonove të thesarit janë individët dhe bizneset që mund të marrin pjesë drejtpërdrejtë në ankandet e bonove të thesarit në sportelet e Bankës së Shqipërisë ose Postës Shqiptare1. Ndërkohë që për vitin 2008 individët zotërojnë 7.26 për qind të portofolit të bonove por kjo pjesë tregu do të ishte shumë më e lartë nëse Banka e Shqipërisë nuk do të mbyllte sportelin për investimin e drejtpërdrejtë nga individët në bono thesari. Sipas raportit mësohet se Banka e Shqipërisë e ndryshoi politikën e saj të aksesit të individëve dhe bizneseve të vegjël që investonin në bono thesari duke i detyruar që të hapnin një llogari pranë saj, pra nuk i zhvendosi individët nga sportelet e Bankës Qendrore ku mund të transferonin paratë e depozituara në një nga bankat e nivelit të dytë kundrejt komisioneve që variojnë nga 1/1000 e shumës (por jo më pak se 1000 lekë) deri në 3500 lekë. Duke i shtuar kësaj kosto dhe efektet negative të asimetrisë së informacionit për klientët në banka lidhur me shërbimin e investimit në bono thesari, konkludojmë se janë rritur barrierat për pjesëmarrësit në ankandet e tregut primar të bonove të thesarit dhe ka kufizuar konkurrencën ndaj bankave.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›