E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti Rusi-BE pret rifillimin e dialogut

Rusia dhe Bashkimi Evropian do të përpiqen të ngushtojnë hendekun e ndarjeve te thella lidhur me çështjet si energjia, tregtia dhe siguria, gjatë një samiti që zhvillohet në Khabarovsk. Takimi vjen në kohën kur janë rritur tensionet mes Moskës dhe Brukselit për një listë të gjatë çështjesh, përfshirë dhe përpjekjet e Evropës për të forcuar marrëdhëniet me vendet si Ukraina dhe Gjeorgjia.

Një vit më parë kur Dimitri Medvedev u bë presidenti i ri i Rusisë pati shpresë se marrëdhëniet me Bashkimin Evropian mund të përmirësohen në mënyrë graduale.

Në vend të kësaj, këto marrëdhënie u përkeqësuan në mënyrë të vazhdueshme. Ato u acaruan verën e kaluar gjatë luftës së shkurtër mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Që prej asaj kohe, ka patur një tjetër debat për gazin mes Rusisë dhe Ukrainës që çoi në ndërprerjen e furnizimeve për shumë vende evropiane për dy javë në mes të dimrit.

Nga ana tjetër, ekziston edhe një betejë e vazhdueshme lidhur me shpërndarësit e energjisë teksa Evropa përpiqet të gjejë alternativa përballë rritjes së varësisë ndaj gazit rus. Por të enjten, pati buzëqeshje të pashmangshme kur presidenti rus Medvedev priti mysafirët, mes të cilëve presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Borroso dhe udhëheqësi çek, Vaclav Klaus, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.

Asnjë nuk pret ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm dhe ndoshta shpresa më e madhe është për një marrëveshje për rifillimin e negociatave për një partneritet të ri që filloi gati një vit më parë.

Pasojat e krizës financiare pritet të jenë një çështje e rëndësishme për samitin.

/BBC/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›