Samiti i BE/ Kryeministri Rama skeptik mbi anëtarësimin: Duket se do dëgjojmë një tjetër “JO”

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se ka biseduar me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për samitin e ardhshëm të BE për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.
Pak pasi Presidenti serb bëri me dije se më 22 qershor do të merret vendimi nëse do të mbahet samiti apo jo, kryeministri Rama shprehet skeptik lidhur me samitin e ardhshëm të BE, teksa shkruan se do të dëgjojë një tjetër “JO” nga BE lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, shkruan Kryeministri në rrjetin social Twitter.
/rtsh.al/