E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i Bërdos mbahet edhe pa Serbinë

Mes zyrtarëve të lartë evropianë janë: Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman van Rompuy, komisari i Zgjerimit, Stefan Fule dhe sipas të gjitha gjasave, ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos. Dilema e vetme mbetet nëse do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç.

Sipas një shkrimi në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”, mësohet se organizatorët kanë hequr dorë nga kërkimi i formulave që Kosova të ftohet si “UNMIK/Kosovë“ apo “Kosovë/UNMIK“, apo ndonjë formulë tjetër sa për të kënaqur Serbinë. Mësohet se disa shtete të rëndësishme të BE-së u kanë sugjeruar organizatorëve që “kurrsesi të mos i bëhen lëshime Serbisë, sepse ajo mund të inkurajohet në drejtim të gabuar dhe të mendojë se me sjelljen e saj kushtëzuese do të diktojë modalitetet se si do të zhvillohen takimet dhe kush si mund të marrë pjesë“.

Disa diplomatë mendojnë se edhe pjesëmarrja në nivel kaq të lartë e Këshillit të BE-së, duke dërguar vetë presidentin e parë të Bashkimit Evropian, dhe Presidencës spanjolle, e cila dërgon ministrin e Jashtëm, do të jetë një lloj presioni ndaj Serbisë që të mos refuzojë ardhjen. Në të njëjtën kohë organizatorët ende besojnë se e kanë “formulën magjike“ që do t’i kënaqë të gjithë dhe të sigurojë pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve politikë të rajonit.

Për të parën herë pas 18 vjetësh, liderët politikë të vendeve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, duke shtuar edhe Shqipërinë, do të takohen në të njëjtin vend ku në vitin 1991 liderët e republikave të atëhershme të ish-Federatës Jugosllave, pa sukses, u takuan në përpjekje të gjejnë rrugë për ristrukturimin e shtetit të përbashkët apo për shpërbërjen paqësore të atij shteti.

Sot, 18 vjet më vonë, Sllovenia dhe Kroacia mendojnë se rajoni është shumë më i avancuar dhe mund t'i ofrojë Bashkimit Evropian po ashtu kontribut pozitiv. Motoja e samitit do të jetë “Së bashku për Bashkimin Evropian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen evropiane“. /kd/start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›