E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Berisha dhe Rama duhet te takohen për zgjidhjen e krizës”

Zëvendëskryeministri propozon tryezë bisedimesh mes Berishës dhe Ramës. Meta shprehet i gatshëm të takohet me Ramën për zgjidhjen e krizës
Eljona Ballhysa
Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka propozuar dje tryezë bisedimi mes Berishës dhe Ramës për të zgjidhur krizën politike në vend. Madje Meta është shprehur i gatshëm për t’u takuar me kreun e Partisë Socialiste për zgjidhjen e krizës politike. Ai theksoi dhe njëherë se maxhoranca është e gatshme që diskutojë me opozitën dhe t’i ofrojë asaj mundësinë e bashkëpunimit në këtë moment të rëndësishëm për proceset integruese të vendit. Meta u shpreh gjithashtu se për të dalë nga kjo situatë duket dhe vullneti politik i opozitës. Oferta e Berishës për të bashkëpunuar me Ramën është ngritja e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet, me kusht që të mos hapen kutitë e votimit. Sipas Berishës, nuk mund të kryhet një proces rinumërimi për shkak se ka një vendim të formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor. Por kërkesa kryesore e opozitës është pikërisht hapja e kutive në mënyrë që të vërtetohen nëse ka pasur apo jo manipulim të procesit zgjedhor. Në një situatë të tillë, ku edhe faktori ndërkombëtar sa vjen e thekson nevojën për zgjidhjen sa më parë të krizës politike, zëvendëskryeministri Meta sugjeron takimin mes Berishës dhe Ramës.
Takimi
“Pa asnjë diskutim që çdo takim mes kryeministrit Berisha dhe zotit Rama është shumë pozitiv dhe zoti Berisha e ka ftuar edhe dje, dhe jam i bindur që do ta ftojë vazhdimisht zotin Rama, si kryetar i partisë më të madhe opozitare, për të bashkëpunuar në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur se qeveria do të ecë në këtë drejtim konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, dhe shpresoj që edhe opozita të kontribuojë sepse i ka të gjitha mundësitë për të dhënë kontributin e saj në këtë proces shumë të rëndësishëm për të gjithë vendin”, - është shprehur Meta. I pyetur nëse është i mundur një takim Meta-Rama, zëvendëskryeministri u shpreh i gatshëm për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike në vend, ndërsa kërkoi dhe vullnetin e opozitës për këtë çështje. “Unë jam i hapur në çdo moment dhe të jeni të sigurt që maxhoranca është shumë e hapur për të bashkëpunuar me opozitën, absolutisht dhe me veprime konkrete, dhe jo thjesht vetëm me deklarata, por natyrisht që duhet vullnet nga të gjithë, sepse e theksoj edhe njëherë, momenti është i rëndësishëm dhe historik dhe duhen lënë gjërat e vogla përpara aspiratës kryesore që bashkon shqiptarët. Integrimi nuk i ndan shqiptarët në të majtë e në të djathtë”, - është shprehur Meta.
Integrimi
Zëvendëskryeministri Meta, duke iu referuar marrjes së pyetësorit të BE-së nga Shqipëria, shtoi se zgjidhja e ngërçit politik në vend është shumë i rëndësishëm për ecurinë e proceseve integruese të vendit. “Momenti i dorëzimit të pyetësorit nga ana e Komisionit Europian është një moment shumë i rëndësishëm dhe historik që duhet të zgjojë energjitë më pozitive të të gjithë aktorëve politikë në vend, por jo vetëm kaq, ai duhet të garantojë dhe gjithëpërfshirjen maksimale të të gjithë aktorëve politikë dhe socialë të shoqërisë civile dhe të ekspertëve më të mirë të vendit në të gjitha fushat e integrimit. Nuk ka gjë më të rëndësishme për të gjithë vendin tonë, për të gjithë shqiptarët, sesa ky ushtrim i ri që fillon vendi me marrjen e pyetësorit dhe që do të vijojë edhe me etapa të tjera në të ardhmen. Unë dua të vlerësoj me këtë rast rëndësinë e gjithëpërfshirjes në këtë proces dhe ky ka qenë dhe është edhe vullneti i qeverisë, në mënyrë që ta kthejmë çështjen e integrimit në këtë moment kaq të rëndësishëm, pas dorëzimit të pyetësorit, në një aksion kombëtar të gjithë klasës politike dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke lënë mënjanë gjërat e vogla, duke lënë mënjanë retorikat luftarake dhe të panevojshme, sepse vendi ka nevojë për të ecur përpara në procesin e integrimit dhe ka nevojë për sinergji pozitive të energjive të çdo shqiptari, aq më tepër të çdo politikani”, - është shprehur Meta. Ai shtoi se vendi ndodhet në një moment historik të rëndësishëm. “Ky është një moment shumë i rëndësishëm për vendin. Integrimi europian është aspirata kryesore e të gjithë shqiptarëve, është aspirata ku shqiptarët nuk ndahen në të majtë dhe as në të djathtë, as në të mirë dhe as në të këqij. Populli shqiptar duhet të bashkohet në mënyrë që vërtet të përfundojmë këtë fazë finale të procesit tonë të integrimit. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s, që është një fitore shumë e madhe për gjithë vendin, Shqipëria është në prag të procesit të liberalizimit të vizave, një fitore e madhe dhe shumë e prekshme për çdo qytetar shqiptar dhe natyrisht që Shqipëria duhet të përmbushë me sukses këtë moment dhe për këtë kërkohet energji pozitive nga të gjithë”, - ka theksuar zëvendëskryeministri.

18 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›