E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i NATO-s, kryeministri Berisha niset drejt Çikagos

19-05-2012 / Gazeta 55

Delegacioni shqiptar përbëhet edhe nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinastosi dhe zyrtarë të tjerë të lartë


Kryeministri Sali Berisha u nis sot për në Çikago (SHBA), ku do të marrë pjesë në Samitin e 25-të të  Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), i cili do të zhvillohet në 20 dhe 21 maj, në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Delegacioni shqiptar  kryesohet nga Kryeministri Sali Berisha dhe në përbërje të tij janë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes, zoti Arben Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në ditën e parë të punimeve, të cilat do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC). Gjatë këtij sesioni do të përkujtohen ushtarakët e NATO-s të rënë në krye të detyrës gjatë operacioneve të Aleancës. Në sesionet në vijim, Kryeministri Berisha bashkë me liderët e tjerë të vendeve anëtare të Aleancës do të marrë pjesë në punimet e takimeve dedikuar Afganistanit dhe zhvillimit dhe forcimit të kapaciteteve të Aleancës. Në sesionet e Samitit do të marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti i Këshillit të BE-së, Presidenti i Komisionit të BE-së etj.. Samiti i 25-të i NATO-s, do të fokusohet në tre çështje thelbësore të Aleancës: Angazhimin e saj në Afganistan në kuadër të ISAF-it, “Paketën e Mbrojtjes” dhe Partneritetet. Ky është një ndër samitet më të mëdha në historinë e Aleancës, duke qenë se së bashku me aleatët, organizatat ndërkombëtare dhe vendet partnere të ftuara, numri i vendeve pjesëmarrëse arrin në 60. Përveç të tjerash, organizimi i këtij Samiti në SHBA-të, është një mënyrë për të përcjellë mesazhin simbolik të rëndësisë që ka lidhja trans-atlantike e SHBA-ve me Evropën, dhe veçanërisht me NATO-n. Gjatë punimeve të këtij samiti është parashikuar edhe një takim i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, me katër vendet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO (Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi dhe Maqedonia).

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›