E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Ndihmës Juridike

19-05-2012 / Gazeta 55

Kosovë – Shqipëri

Dje në Ministrinë e Drejtësisë u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Kryetares së Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike, Blegina Kodra dhe Kryetarit të Këshillit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas të Republikës së Kosovës, Sokol Haziri.
Qëllimi i këtij Memorandumi është bashkëpunimi i ndërsjellët ndërmjet Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike dhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas të Republikës së Kosovës për mbrojtjen efektive të të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshëm të individëve përmes dhënies së ndihmës juridike cilësore në përputhje me parimin e reciprocitetit.
Ky bashkëpunim do të realizohet me anë të ofrimit të ndihmës juridike shtetasve të palëve nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit, zhvillimit të takimeve për shkëmbimin e eksperiencave në fushën e ndihmës juridike si dhe koordinimit te aktiviteteve te përbashkëta.
Komisioni Shtetëror për Ndihmë Juridike, ushtron veprimtarinë e tij që prej vitit 2011 si organ i pavarur, përgjegjës për sigurimin e ndihmës juridike falas në lëmin e çështjeve civile, administrative, penale për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të cilëve u mohohet aksesi në drejtësi për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve financiare. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike ka shqyrtuar 27 çështje në vitin 2011, dhe 4 çështje në periudhën Janar-Maj të vitit 2012, të cilave u është akorduar ndihmë juridike.
Të njëjtin mision ndan edhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas të Republikës së Kosovës, krijuar në vitin 2006, si i pari institucion në Evropën Juglindore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›