Sot provimi i Gjuhë Letërsisë, blindohen shkollat me policë dhe mësues
Të shpenguar, në ankth, e jo të sigurt për atë çka i pret më pas mijëra maturantë janë drejtuar sot për në shkollat e mesme aty ku do të zhvillojnë provën e madhe, e do të testohen në provimin e parë të Gjuhë Letërsisë. Starti drejt Universitetit sapo ka nisur, provimet
do të jenë radhë e ankthi do të jetë i pafund. Në fytyrat e tyre, sheh njëherësh frikë e mall, për gjithçka të përjetuar në bankat e vjetra ku shpesh herë janë argëtuar me shakatë e batutat e njëri tjetrit e pa dyshim edhe janë rebeluar ndonjëherë edhe me mësuesit. Dita e djeshme në disa prej gjimnazeve të kryeqytetit ishte pothuajse e pazakontë. Në vëzhgimet e kryera nga gazeta SOT në disa prej gjimnazeve të kryeqytetit është vënë re se nxënësit e mësuesit i kanë mbipopulluar me dëshirë ambientet e shkollës. Sipas mësuesve asnjë vit tjetër nuk ka pasur më shumë nxënës, të çilët dje më shumë se kurrë ishin vërtet të interesuar për provimin e nesërm. Jam në merak për nesër, nuk e mendoja se do të ishte kaq i vështirë, ky 24 orësh pritjeje e ankth pa fund, thotë me zë të dridhur, Esiela një ndër gjimnazistet më të dalluara të shkollës Qemal Stafa. Ndërkohë që ambientet e brendshme të shkollës duken vërtet në siguri të plotë, e klasat, madje edhe palestra janë vënë në dispozicion të maturantëve të çilët do të testohen në provimin e Gjuhë-Letërsisë, Esielën e takojmë në ambientet jashtë shkollës. Përveç ankthit të çilin e shpreh hapur 19 vjeçarja që ka premisa për të ardhmen rrëfen se gjatë katër viteve ka krijuar miqësi që nuk do të mund ti harrojë kurrë në jetë. Sipas saj, po afron edhe dita e ndarjes përfundimtare me nxënësit e tjerë të klasës e kjo do të përjetohet keq nga të gjithë. Por disa prej maturantëve kanë më shumë se kaq për të kujtuar, shumë prej tyre kanë tentuar ditën e djeshme të dhurojnë tufa lulesh për vajzat e klasës. Përpos kësaj korridoret e jashtme të shkollës ditën e djeshme i ngjasonin ndonjë aktiviteti të çilit nxënësit i përkushtohen pa përtesë. Ndërsa në shkollën Ismail Qemali gjendja e sigurisë për provimin e ditës së nesërme kishte përfshirë edhe korridorin e jashtëm dhe në të shumtën e rasteve edhe prindërit e nxënësve e kishin të pamundur për tu futur në ambientet e shkollës. Sipas një prej mësuesve të kësaj shkolle, janë përgatitur klasat e bankat në to në të çilët do të startojnë testimin të gjithë maturantët e kësaj shkolle. Ndërsa materialet sipas mësuesve mund të mbërrijnë ditën e provimit nga specialistët e mësuesit e caktuar si administratorë të shkollave të çilët do të mbikëqyrin edhe provimin. Sipas mësuesve këtë vit duket se gjithçka është nën kontroll, madje asnjë informacion për testet e maturës nuk qarkullon në ambientet e shkollave të mesme. Por ka edhe nga ata maturantë që për gjithë vitin nuk janë shqetësuar për mbarëvajtjen në provime pasi prindërit janë kujdesur me detaje për vlerësimin e vazhdueshëm me nota madje maksimale. Xhulia një prej vajzave më simpatike të një prej gjimnazeve në kryeqytet rrëfen për gazetën se është shumë e qetë për provimin ditën e nesërme. Madje i vetmi shqetësim që ajo ka është fakti se do ti duhet të qëndrojë për herë të parë për disa orë rresht në bankë. Sipas kësaj maturanteje një pjesë të konsiderueshme të provimeve ajo i ka marrë me ndërhyrjen e prindërve të saj të çilët disponojnë të dy biznes e në këtë mënyrë arrijnë të shpërblejnë mësuesit për vlerësimin maksimal të saj. Një prej mësuesve që do të asistojë ditën e nesërme në provim është takuar me prindërit e mi rreth katër ditë më parë, ka mjaftuar vetëm një kafe midis tyre dhe unë nesër vlerësohem me notë maksimale ka thënë ditën e djeshme maturantja e cila thekson se do të studiojë në një prej universiteteve më të mira private në vend. Por përpos këtij fakti disa prej maturantëve të gjimnazit Çajupi kanë rrëfyer ditën e djeshme edhe mënyrat se si do të mund të kopjojnë ditën e nesërme duke i ngjitur kopjet e bërë nëpërmjet letrave të vogla në pjesët e këmbëve ose në trup. Është mënyrë perfekte, në këtë mënyrë kemi kopjuar gjithmonë edhe gjatë vitit, dhe mësuesit skanë kuptuar asgjë, edhe nesër do tja dalim thanë dje për gazetën disa prej rebelëve të Çajupit.
Drejtuesit e gjimnazeve: Këtë vit, stop kopjeve
Edhe këtë vit, thonë drejtuesit e gjimnazeve, janë marrë të gjitha masat , që nga klasat ku do të vendosen maturantët, të cilave do tu shtohen dhe ambientet e palestrave e deri tek përcaktimi i administratorëve, të çilët janë mësues të përzgjedhur duke shmangur nga lista ata mësues të cilët në vitet e mëparshme të maturës shtetërore mund të kenë marrë vërejtje. Por pavarësisht masave të marra, drejtuesit e gjimnazeve nuk përjashtojnë dhe faktin se në vitet e kaluara nxënësit edhe mund të kenë kopjuar. Megjithatë, për administratorët është marrë dhe një masë tjetër, që ata nuk do të lejohen që të mbikëqyrin procesin, në shkollat që nxënësit i kanë të afërm të tyre. Pas zhvillimit të çdo provimi të Maturës Shtetërore 2010, testet e nxënësve do të dërgohen nën masa të rrepta sigurie në godinën e shkollës Sabaudin Gabrani në Tiranë. Më pas AVA do të kryejë inventarizimin dhe shpërndarjen e tyre në qendrat e vlerësimit.
Arta AGOLLI