BE-ja, ekspert ligjor për të zgjidhur krizën në Shqipëri
Eljona Ballhysa
Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian dhe të Parlamentit Europian, të pranishëm në darkën e një mbrëmjeje më parë me kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama, kanë vendosur të dërgojnë një ekspert ligjor drejt Tiranës. Ky ekspert ligjor mësohet se do të bashkëpunojë me ekspertët ligjorë të Partisë Socialiste dhe ata të qeverisë apo të Partisë Demokratike, në mënyrë që të gjenden teknikat e duhura ligjore për të arritur një marrëveshje konsensuale midis të kampeve të politikës shqiptare. Ajo që bëhet e ditur gjithashtu është se marrëveshja mes palëve duhet të arrihet domosdoshmërisht brenda afatit 2-javor që kanë përcaktuar ndërkombëtarët. Mësohet se takimi i dytë mes dy krerëve të grupeve më të mëdha parlamentare të Parlamentit Europian, Martin Shultz dhe Zhozef Doul, së bashku me kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Rama, do të zhvillohet nga mesi i muajit qershor. Kjo për faktin se sesioni parlamentar fillon më datë 14 dhe takimi është parashikuar të mbahet pikërisht me fillimin e sesionit të ri parlamentar.
Eksperti
Ashtu sikurse është bërë e ditur nga informacioni i pakët që ka rrjedhur nga bisedimet e zhvilluara gjatë darkës së të enjtes në mbrëmje, të zhvilluar në restorant “Crocodile” në Strasburg, mësohet se palët kanë rënë dakord për hapjen e kutive me materialet zgjedhore, ndërkohë që Berisha nuk ka toleruar në asnjë mënyrë mundësinë e hapjes së kutive të fletëve të votimit. Por edhe përsa i përket pikës që parashikon hapjen e kutive me materialet zgjedhore, ndërsa palët fillimisht kanë rënë dakord, më pas janë ngatërruar më shumë gjatë diskutimit, kur janë përfshirë në rrugët që do të ndiqen për ta ligjëruar një procedurë të tillë. Pikërisht për të gjetur rrugët ligjore për të realizuar transparencën e procesit zgjedhor, në bazë të kërkesave të PS-së, por edhe në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, ndërkombëtarët kanë vendosur që pala shqiptare të ndihmohet nga një ekspert ligjor ndërkombëtar. Ende nuk është bërë i njohur emri i ekspertit, ndërkohë që pritet që BE-ja ta përcaktojë sa më parë personin që do të ndërmjetësojë dialogun midis demokratëve dhe socialistëve gjatë dy javëve në vazhdim, me synim gjetjen e një marrëveshjeje konsensuale dhe ligjore. Bëhet e ditur se konsensusi duhet të ndërmerret brenda 2 javëve, para se të zhvillohet takimi i dytë Rama-Berisha me komunitetin ndërkombëtar, takim ky që pritet të mos jetë më një darkë e këndshme në një prej lokaleve më të njohura të kryeqytetit europian, Strasburg. Mësohet se ndërkombëtarët nuk do ta tolerojnë politikën shqiptare në rast se pas 2 javëve nuk arrijnë dot një marrëveshje. Ata madje e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre të prerë, që është pezullim i procedurave të dhënies së opinionit nga Komisioni Europian përsa i përket kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, si dhe bllokim i procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë; çka do të thotë shumë hapa pas për vendin tonë dhe një krizë e re që mund të jetë jo vetëm politike. Këtë vendim politika shqiptare e ka shumë të qartë, ndaj priten zhvillime pozitive, nën presionin ndërkombëtar, gjatë ditëve në vazhdim.
22 Maj 2010