Berluskoni pas sulmit: Po pse më urrejnë kaq shumë, unë i dua të gjithë?!
Kocka e hundës e dëmtuar, dy dhëmbë të thyer dhe buza e çarë. Kryeministri italian ndodhet
ende në spital, i lodhur dhe i tronditur nga sulmi
Silvio Berluskoni “mezi ushqehet”. është i lodhur dhe i lënduar. Kështu shkruhet në buletinin mjekësor të mjekëve në spitalin “San Raffaele”, ku kryeministri italian ndodhet i shtruar që të dielën në mbrëmje, pasi u sulmua në sheshin “Duomo” nga një manifestues. Mjekët thonë se goditja me statujën e katedrales në miniaturë i ka shkaktuar dëmtim të kockës së hundës, thyerjen e dy dhëmbëve dhe çarjen e buzës. Gjatë gjithë ditës së djeshme, kreu i qeverisë italiane u vizitua nga miq, familjarë, politikanë dhe drejtues të institucioneve të vendit. Për t’i dhënë mbështetje Kavalierit shkoi edhe Don Luigi Verzè, vetë themeluesi i spitalit “San Raffaele”. “I thashë kryeministrit se ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje është një paralajmërim për atë dhe vetë vendin. Duhet ndryshuar Kushtetuta italiane. Kryeministri m’u duk i poshtëruar, jo dhe aq për traumën e shkaktuar, sesa për atë që ajo përfaqëson: urrejtjen. Më tha: “Unë i dua të gjithë, dhe u dua të mirën të gjithëve, nuk e kuptoj se përse më urrejnë deri në këtë pikë”, - tha prifti para gazetarëve, të mbledhur në spitalin ku ndodhet Berluskoni. Ky i fundit pritej të dilte nga spitali që dje, por mjekët thanë se gjendja e tij nuk e lejonte një gjë të tillë. “Pasojat e sulmit janë më të rënda sesa i mendonim. Megjithatë, nuk do të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjike për të shëruar dëmtimet në fytyrë si pasojë e agresionit”, - tha mjeku i besuar i Berluskonit, Alberto Zangrillo, i cili shtoi se kryeministrit do t’i duhen rreth 25 ditë pushim dhe trajtim. Sipas tij, Berluskoni ka humbur gjysmë litri gjak dhe është mjaft i tronditur.
Agresori: Urrejtje kundër politikës së kryeministrit
Masimo Tartaglia, 42-vjeçari që goditi të dielën në mbrëmje kryeministrin italian Silvio Berluskoni me një statujë në fytyrë, u transferua gjatë natës në “San Vittore”. Dhe në katër orët e marrjes në pyetje, përpara se të dërgohej në burgun milanez, agresori pranoi hetuesve se veprimi i tij kishte motive politike. Sipas mediave, burri ka thënë se ndjen urrejtje ndaj politikave të partisë së Berluskonit, “Populli i Lirisë” dhe veçanërisht kundrejt politikës së kryeministrit. Hetuesit i gjetën në çantën e vogël një kunj peçiglasi të gjatë 20 cm, një çakmak të madh tavoline dhe një kryq prej 30 cm. Akuza e sulmit me paramendim u justifikua edhe nga fakti se dy prej këtyre objekteve (çakmakun dhe peçiglasin) i kishte marrë që nga shtëpia. Tartaglia ndodhej në kurim për probleme psikike deri në vitin 2003 në poliklinikën e Milanos. Në rrëfimin e tij përpara hetuesve ai shpjegoi se kishte shkuar në sheshin “Duomo”, për të asistuar në manifestimin e PDL-së dhe se ishte larguar ndërsa Berluskoni ende po fliste në podium. 42-vjeçari po i afrohej qendrës së qytetit, kur pa makinën e kryeministrit të parkuar dhe ia tërhoqi vëmendjen një grup manifestuesish kundër Berluskonit. Në atë moment u fut në një rrugicë për t’u rikthyer mbrapsht dhe u gjend përpara kreut të qeverisë, të cilin e goditi me një statujë të katedrales në miniaturë, të cilën sapo e kishte blerë në një kioskë aty pranë. Pas përpilimit të padisë kundër Tartaglias, me akuzën për agresion me paramendim, hetuesit tani po punojnë edhe mbi rrjetin e njohjeve dhe të personave që frekuentonte 42-vjeçari. Sipas mediave, ajo çka i shqetëson më shumë forcat e rendit, është se pavarësisht se bëhet fjalë për një gjest të izoluar, pikërisht se është i sëmurë, Tartaglia mund të jetë manovruar nga dikush tjetër.
Pezullohen bisedimet në Kopenhagen
Negociatorët në Samitin e Klimës që po mbahet në kryeqytetin danez i pezulluan dje bisedimet, pasi vendet në zhvillim tërhoqën bashkëpunimin e tyre. Ato e argumentuan tërheqjen, duke thënë se shqetësimet e tyre ishin lënë mënjanë dhe një angazhim për ulje edhe më të mëdha në emetimet e gazeve nga vendet e pasura duhet të ishte në qendër të bisedimeve. Ata thanë se nuk do t’u bashkoheshin diskutimeve, derisa të zgjidhej çështja. Debati është për një çështje teknike, në fakt një argument lidhur me rolin që do të kenë në marrëveshjet e së ardhmes protokollet e Kiotos. Kjo e fundit është e vetmja marrëveshje për ndryshimin e klimës dhe vendet e varfra duan që ajo të jetë baza për traktatin e ardhshëm. Shefi i OKB-së për Klimën, Yvo de Boer, tha se po dëgjoheshin shqetësimet e tyre. “Ajo që dëgjoj, është që vendet në zhvillim janë duke thënë se nuk po i kushtohet vëmendje e mjaftueshme protokollit të Kiotos dhe ato duan të sigurohen që këtu të ketë një ekuilibër. Ajo që duan të shohin, janë objektiva të qarta për një periudhë të dytë angazhimi nga ana vendeve të industrializuara që janë palë në Protokollin e Kiotos”, - tha ai. De Boer shtoi se parimet e Protokollit të Kiotos mbështeten në masë të madhe nga vendet që marrin pjesë në Konferencën e Kopenhagës. “Unë mendoj se ky nuk është vetëm shqetësim afrikan. Unë mendoj se shumica e vendeve këtu duan të shohin një vazhdimësi të Protokollit të Kiotos”, përfundoi ai. Rreth pasdites, përfaqësuesit e shteteve afrikane u rikthyen në konferencën mbi klimën, pasi largimit në shenjë protestë kundër vendeve të pasura. Presidenca daneze e samitit nisi menjëherë kontaktet për të rikuperuar këtë ndalim të punimeve.
Nevada, mbërrijnë bordellot për femra
Shteti i parë në SHBA që legalizon zhigolotë
Brenda një muaji, në Nevada pritet të hapen shtëpitë e para publike të destinuara ekskluzivisht për klientet femra dhe ata gay. Lajmi u njoftua nga pronari i një bordelloje, i cili shpjegoi se mundësia ofrohet tashmë nga një ligj i ri i këtij shteti, që parashikon një program për parandalimin e sëmundjeve seksuale edhe për meshkujt. Deri më tani, këta nuk mund të prostituoheshin pikërisht për mungesë të çdo tip kontrolli mjekësor. “Bota është gati që gratë dhe homoseksualët të mund të paguajnë ligjërisht për të bërë seks”, - tha Bobbi Davis, pronari i “Shady Lady Ranch”. Sipas tij, kjo iniciativë e re do t’i bënte mirë edhe biznesit në një moment të tillë krize. Deri më sot, meshkujt nuk mund të prostituoheshin pikërisht për shkak se për ata nuk ishte parashikuar asnjë lloj kontrolli mjekësor, ndryshe nga ç’ndodh me femrat, të cilat prej vitesh ligjërisht thirren të bëjnë teste të detajuara dhe ciklike. Por kjo normë e re ligjore i hap faktikisht rrugën legalizimit të prostitucionit mashkullor. “Për më shumë se 25 vjet, asnjë prostitutë e autorizuar në shtetin tonë nuk është infektuar nga Sida. Puna ime është që situata të vazhdojë të jetë e tillë”, - shpjegoi George Flint, kreu i lobit të pronarëve të bordellove në Nevada. Edhe pse praktikohet në masë, prostitucioni ndalohet në zonat urbane të Las Vegasit dhe Rinos. Ndërsa që nga viti 1971, është legalizuar në kontetë më rurale. Kështu, disa orë me makinë nga qyteti, në mes të shkretëtirës, ka plot shtëpi publike tërësisht të ligjshme.