Samiti pret reagimin kinez dhe amerikan
Udhëheqës botërorë të mbledhur në Nju Jork përpiqen të ringjallin bisedimet e bllokuara për reduktimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë. Presidenti amerikan Barack Obama e paralajmëroi samitin e OKB-së për klimën në Nju Jork se brezi i tij do të gjykohet nga historia, nëse dështon në luftën kundër ngrohjes globale. Ai tha se nëse nuk adresohej ky problem brezat e ardhshëm përballeshin me një katastrofë të pakthyeshme.
Presidenti tha se njerëzimi e kishte kuptuar shumë vonë shkallën e kërcënimit nga ngrohja globale. Por, ai shtoi se në tetë muajt e fundit Amerika kishte bërë më shumë se më parë për të promovuar një energji të pastër dhe reduktuar ndotjen nga dioksidi i karbonit. Duke hapur samitin, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi se mosarritja e një marrëveshjeje për ndryshimin e klimës do të ishte e pajustifikueshme.
Planet kineze
Me interes priten planet kineze për mbajtjen në kontroll të emetimeve të dioksidit të karbonit gjatë samitit për klimën që zhvillohet të martën. Kina është duke vendosur objektiva, jo për të vendosur kufij në emetimet e përgjithshme për të kufizuar intensitetin e energjisë dhe karbonit në një plan pesëvjeçar nga viti 2011 deri në 2016.
Në të njëjtën kohë, ekonomia e tretë e botës për nga madhësia do të përdorë energji më të pastër që përftohet nga hidrocentralet, turbinat e erës dhe panelet diellore. Ky ndryshim vjen pjesërisht si një reagim ndaj kritikave ndërkombëtare, teksa Kina bëhet edhe ndotësi më i madh i botës. Rritja e shpejtë ekonomike ka rritur kërkesat për energji dhe karburante, kështu që edhe ndaj Pekinit janë shtuar kërkesat për të dhënë përgjigje të qarta se çfarë është bërë për të zgjidhur këtë problem.
Zyrtarët kinezë, që janë mjaft të kujdesshëm për sa i takon imazhit, duan të shihen si bashkëpunues në nivel ndërkombëtar dhe e pranojnë se Kina duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes së problemeve të mëdha globale si kriza financiare dhe ndryshimi i klimës.
Ata e kanë kuptuar gjithashtu se duke përkrahur teknologjinë ekologjike dhe duke shkuar drejt një ekonomie që emeton më pak karbon, vendi ka më shumë gjasa të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm në një periudhë afatgjatë.
Por, përpara ka sfida të mëdha. GDP-ja e Kinës mbetet ende shumë e ulët dhe zhvillimi ekonomik mbetet një prej objektivave kryesorë. Industritë që emetojnë shumë karbon, si ajo e çimentos dhe e çelikut, do të vazhdojnë të jenë të rëndësishme. Ndërkaq termocentralet që përdorin qymyrguri, sigurojnë 70 për qind të energjisë për momentin dhe shkëputja prej kësaj kërkon shumë mbështetje financiare dhe teknologjike.