Reformat, Rusmali: PS-ja të kthehet në Kuvend
Kryerja e një sërë reformave të rëndësishme, pjesë e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, kërkojnë domosdoshmërisht praninë e opozitës në Kuvend. Komisionet parlamentare nisën dje punën, por pa praninë e deputetëve të opozitës në to. Në axhendë ka disa ligje të rëndësishme në reformën e drejtësisë që kërkojnë edhe votat e opozitës. Pasi zhvilloi mbledhjen e parë të komisionit për këtë mandat, pa praninë e opozitës, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se prania e PS-së në Kuvend është e nevojshme. “Reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencë, jo vetëm bashkëpunim, por dhe kontribut real të opozitës, me qëllim që ajo të jetë reformë e qëndrueshme dhe afatgjatë. Sigurisht, kur ata të jenë bashkë me ne në komision, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që na takojnë si parlamentarë, por do të kërkojmë dhe të gjithë kontributin e ekzekutivit që reforma në drejtësi të ecë përpara”, - tha Rusmali. Ai mori si shembull ligjin për krijimin e Gjykatës Administrative, e kërkuar me ngulm nga bota e biznesit, por kërkon 84 vota, pra edhe praninë e opozitës në Kuvend.