Samuel Beckett me Molloy në kërkim të vetes
Ka dalë në qarkullim nga shtëpia botuese “Tirana Times” romani “Molloy” i shkrimtarit irlandez, Samuel Beckett. Me përkthim të Urim Nergutit, ky është romani i kërkimit të vetes, romani i identitetit. Ndonëse pa një histori të mirëfilltë, ai shfaqet si një mënyrë hulumtimi brenda vetvetes, një mënyrë udhëtimi të brendshëm për të marrë vesh kush jemi dhe për çfarë jem.
Autori: Samuel Beckett
Titulli: “Molloy”
Përktheu: Urim Nerguti
Botoi: “Tirana Times”
çmimi: 800 lekë
Ashtu si Dante që ecën nga rrethi në rreth për të arritur në ferrin apo parajsën e tij, edhe Samuel Beckett vendos secilin nga tre protagonistët kryesorë të romaneve të trilogjisë së tij, “Molloy”, “Malone vdes” dhe “E paemërtueshmja”, në një rreth të shquar mirë, me qëllim që ata të arrijnë, mbase hiçin, të cilin e dëshirojnë. Ky rreth shkon gjithnjë e më shumë duke u ngushtuar nga romani në roman...
“Molloy” është romani i parë i trilogjisë beckettiane, ku përfshihen gjithashtu “Malone muert” (“Malone vdes”) dhe “L’Innommable” (“E paemërtueshmja”). Shkruar më 1947, vetëm një vit pas “Mercier et Camier” (“Udhëtim i mbyllur”), ai është mbase romani më i rëndësishëm i novelistit irlandez Samuel Beckett. ç’është e vërteta, këtu jemi përballë një “sendi” të çuditshëm letrar, që nuk ngjason me një roman të mirëfilltë, dhe me kalimin e kohës është parë se të gjitha rrugët e kuptimit të Beckett-it kalonin nëpërmjet Molloy-t. Mund të themi, pa ndonjë përqindje të madhe gabimi, që ky roman është një tekst ku Beckett na jep tashmë një gjuhë frënge të zotëruar mjaft mirë, tërë botën e tij të piketuar nga një ngjarje gjithaq e veçantë.
Më 16 prill 1906, rubrika mondane e gazetës “Irish Times” lajmëron lindjen, tri ditë më parë, të një foshnje të quajtur Samuel Beckett. Shtëpia e madhe familjare, me bashtinën rreth e përqark, shëtitjet me të atin William, do të lënë gjurmë të thella tek i vogli Beckett dhe do ta përcjellin gjatë tërë veprës së tij, duke qenë kështu kuadri i romaneve dhe pjesëve teatrale të mëvonshme. Pas mbarimit të studimeve të larta në “Trinity College” të Dublinit, ku studion anglisht, frëngjisht dhe italisht, ai zhvendoset në Francë, për të dhënë mësim në lëndën e anglishtes, në Shkollën Normale superiore (ENA), njëra nga tre shkollat më me emër në Francë. Aty njihet me shkrimtarin tjetër të madh irlandez, James Joyce, autorin e veprës monumentale “Uliksi”. Tejet i ndikuar nga shkrimi dhe bota e Joyce, ai merr në mbrojtje stilin e këtij të fundit, të kritikuar si i errët. Por pak nga pak lidhjet me të fillojnë të lëshohen, sidomos pasi Beckett refuzon dashurinë e së bijës së Joyce, Lucia. Pas disa udhëtimesh nëpër Europë, sidomos në Gjermani, rikthehet për t’u vendosur në Francë pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Shpallja e luftës e gjen në Irlandë, një vend asnjanës. Beckett nuk pret, por kthehet në Francë për t’u futur në rezistencë. I përndjekur nga gestapo, ai i shpëton për pak arrestimit dhe vendoset në zonën e papushtuar, në jug, në Rousillon, bashkë me të shoqen, Suzanne. Pas luftës, vendos përfundimisht të qëndrojë në Francë dhe atëherë fillon për të epoka e artë e shkrimit drejtpërdrejt në frëngjisht. Trilogjia, pjesa e teatrit “Duke pritur Godot”, shkruhen në periudhën ndërmjet 1946-1950, e njohur si periudha më pjellore e krijimtarisë së Beckett. Më 1969 vjen kurorëzimi aq i lakmuar nga çdo shkrimtar, çmimi “Nobel”, e që çuditërisht ai e përjeton si një katastrofë. Dhe vërtetë, ai është i neveritur nga tërë kjo industri beckettiane që do të lindë pas këtij çmimi, por gjithashtu mosparaqitja në Stockholm për ta marrë vetë çmimin (ishte botuesi i tij francez, Jerome Lindon, ai që u paraqit) tregonte përbuzjen e tij ndaj mondaniteteve dhe tërë detyrimeve që shkojnë bashkë. Në korrik 1989, e shoqja e tij vdes dhe Beckett futet në një azil pleqsh, ku dhe vdes në dhjetor të po atij viti. Varri i tij gjendet sot në një varrezë të Montparnasse. E tërë vepra e Beckett ka si strumbullar një përmasë tragjike që është lindja: “Ju jeni mbi tokë, dhe kjo është pa shpëtim”, thotë një personazh i “Fin de Partie” (“Fundi i lojës”). Ose dhe në fund të “L’Inommable” (“E paemërtueshmja”): “Duhet vazhduar, nuk mund të vazhdoj, do të vazhdoj”. “Molloy” është romani i kërkimit të vetes, romani i identitetit. Ndonëse pa një histori të mirëfilltë, ai shfaqet si një mënyrë hulumtimi brenda vetvetes, një mënyrë udhëtimi të brendshëm, për të marrë vesh kush jemi dhe për çfarë jemi. Në këtë roman do të ketë goxha zhvendosje, personazhet- Molloy në pjesën e parë dhe Moran në pjesën e dytë- do të lëvizin në ndjekje të një personi të tretë imagjinar, që nuk është asgjë tjetër përveçse vetja e tyre. Molloy kërkon të arrijë shtëpinë e nënës, për të ndrequr ca punë me të, siç thotë ai, ndërsa Moran lëshohet në kërkim të një farë Molloy, që duhet gjetur për llogari të një hetimi të ngarkuar. A do t’i arrijnë ndonjëherë këto synime? A do të takohet Molloy me të ëmën e vet, dhe a do ta gjejë Morani këtë Molly? Një gjë është e qartë: ky roman do të jetë festa e dyzimit, mëdyshjes, dhe ku foljet do t’i qepen mënyrës kushtore për të dhënë një mjedis ku asgjë nuk është e sigurt.
Autori: Përkthyesi i veprës
#