E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse u mbyll Laboratori i Restaurimit?

Problemi Për më shumë se një vit e gjysmë, në Institutin e Arkeologjisë nuk kryhen restaurime

Reforma e kryer në Akademinë e Shkencave dhe riformimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA) solli edhe mbylljen e Laboratorit të Restaurimit në Institutin e Arkeologjisë (ku ndodhen Muzeu Arkeologjik dhe fondet e objekteve arkeologjike). Si pasojë u pezullua nga puna specialisti i vetëm i këtij laboratori. Përse u mbyll laboratori i restaurimit në Institutin e Arkeologjisë?! A duhej mbyllur domosdoshmërish, apo duhej reformuar? Si specialist-restaurues, me një përvojë pune rreth 22-vjeçare, unë mendoj se ekzistenca e këtij laboratori ishte domosdoshmëri. Ruajtja(konservimi) dhe restaurimi i objekteve arkeologjike është një problem i vazhdueshëm për trashëgiminë tonë kulturore. Ndërkohë që vetë historia, që nga gjetjet e relikeve të para, tregon se këto dy procese do të ishin vendimtare në ruajtjen dhe përcjelljen ndër vite të trashëgimisë dhe kulturave të shkuara. Pikëpyetjes se ç’duhej të bëhej me objektet arkeologjike të nxjerra nga nëntoka, iu dha përgjigje që në zbulimet e para: ato duhet të ruheshin. Për këtë sot kemi fonde të objekteve arkeologjike, kemi muze ku ato ekspozohen dhe specialistë që merren me ruajtjen dhe restaurimin e tyre. Këta janë restauruesit, të cilët kanë rolin vendimtar pas punës që arkeologët bëjnë në terren për zbulimin e relikeve. Janë ata që e kthejnë në formën origjinale një objekt të thërrmuar në qindra copa. Për këtë arsye nuk ka institucion kërkimor shkencor dhe muze arkeologjik në botë pa laboratorin e tij të restaurimit.

Laboratori i Restaurimit të objekteve arkeologjike pranë Institutit të Arkeologjisë të Tiranës është hapur 52 vjet më parë (në vitin 1958) dhe është i vetmi institucion i këtij lloji në vendin tonë. Veprimtaria restauruese dhe konservuese në këtë laborator realizohet në dy drejtime: për restaurimin e objekteve arkeologjike të zbuluara gjatë ekspeditave arkeologjike në terren (në laboratorët fushorë); për restaurimin e objekteve arkeologjike që ndodhen në ruajtje (fonde). Me anë të laboratorëve fushorë, Laboratori i Restaurimit mbulon të gjitha ekspeditat arkeologjike që zhvillohen çdo vit në Shqipëri (në bashkëpunim edhe me misionet e huaja arkeologjike). Në vendin tonë, fondet e objekteve arkeologjike ndodhen në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë dhe në qendrat arkeologjike (muzetë arkeologjikë) të Korçës, Durrësit, Apolonisë dhe Butrintit.

Veprimtaria kryesore restauruese në Laboratorin e Restaurimit të Objekteve Arkeologjike kryhet për studim, dokumentim, konservim dhe ekspozim. Qysh nga themelimi i tij në këtë laborator janë restauruar me mijëra e mijëra objekte arkeologjike, nga të cilat, një pjesë janë vendosur në stendat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, në Muzeun Arkeologjik të Tiranës, në muzetë arkeologjikë të Durrësit, Apolonisë, Butrintit dhe Korçës. Pjesa tjetër ndodhen në ruajtje (konservim) në fondet e Institutit të Arkeologjisë dhe në fondet e muzeve arkeologjikë të Korçës, Durrësit, Apolonisë dhe Butrintit. Mbyllja e Laboratorit të Restaurimit në Institutin e Arkeologjisë është një veprim i nxituar e i pastudiuar, që do t’u sjellë një dëm të madh e të pakorrigjueshëm objekteve arkeologjike, kësaj pasurie të madhe të kulturës dhe historisë së vendit tonë. Njëkohësisht është edhe mohimi i punës së disa brezave restauruesish të nderuar, një pjesë e të cilëve kanë qenë edhe krijuesit e këtij laboratori, si Spiro Koço dhe Namik Bodinaku, por edhe të tjerë restaurues si: Sotir Kosta, Nikolin Baba, Frederik Stamati, Lule Sima, Efrosina Karagjozi, Arben Laze etj.

Laboratori ka në organikë vetëm një specialist restaurues, autorin e këtij shkrimi, i cili ka kryer kurse specializimi dhe trajnimi në laboratorët më të njohur në botë. Objektet arkeologjike të zbuluara gjatë këtyre dy viteve, por edhe ato të zbuluara më parë, presin që të restaurohen, e më pas t’i nënshtrohen studimit nga arkeologët. është e pajustifikueshme që edhe sot, pas një viti e gjysmë nga mbyllja e laboratorit, me gjithë premtimin për ngritjen e një Laboratori Kombëtar të Restaurimit, akoma nuk është marrë ndonjë masë konkrete për hapjen e këtij laboratori. Qeveria shqiptare, për nevoja të QKA-së, ka dhënë (me pikatore) kontrata provizore për specialistët e Institutit të Arkeologjisë, por që nuk mjaftojnë, pasi nevojat dhe kërkesat për punën e specializuar në Laboratorin e Restaurimit, në ndihmë të studiuesve shkencorë në këtë Institutit, janë shumë më të mëdha.

Autori: Avni Alcani, restaurues

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›