E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ndalet rritja e çmimit të apartamenteve

Edhe gjatë tremujorit të parë, m² u shtrenjtua me 15.8%. BSH: Ndikim, euroja

Kur në vendet e rajonit ka ulje çmimesh, si shkak i krizës, në Shqipëri ndodh e kundërta. Pas konstatimit me produktet bujqësore, një tjetër fenomen i pakuptimtë ndodh me apartamentet të cilave, edhe pse ka rënie të kërkesës, çmimet nuk u ndalen së rrituri. Një vëzhgim i bërë nga Banka e Shqipërisë për tremujorin e parë 2010, del me konkluzionin se shtrenjtimi ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe. Që prej fillimit të 2009-s, atëherë kur u ndje kriza, çmimet e banesave nisën të shtrenjtoheshin pas një pauze njëvjeçare. Sipas BSH-së, ndikim te rritja ka pasur jo pak kursi i këmbimit. Ndërtimi punon në pjesën dërrmuese me euro, e cila gjatë një viti pësoi vlera të larta në raport me lekun. Konkretisht, çmimet e banesave kanë shënuar një rritje vjetore prej 15.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010. “Indeksi i çmimeve të banesave (IçB) ka shënuar rritje vjetore, duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2009. Një pjesë e rritjes së indeksit (përafërsisht 40 për qind) reflekton efektin e nënçmimit të lekut ndaj monedhës europiane”, vë në dukje raporti i politikës monetare i Bankës së Shqipërisë për tremujorin e tretë. Shtrenjtim të shërbimit ka pasur edhe tregu i banesave me qira.

Analiza

Sipas Bankës së Shqipërisë, analiza e plotë e ecurisë së çmimeve të banesave dhe e faktorëve që e përcaktojnë atë kufizohet nga mungesa e të dhënave për sasinë e transaksioneve të kryera në një tremujor. Zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e parë të vitit 2010 janë ndikuar nga një ofertë e kufizuar në treg. Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja banimi ka shënuar rënie vjetore gjatë 3 tremujorëve të fundit të vitit 2009. “Kushtet e shtrënguara të kreditimit, ngadalësimi i normës së rritjes vjetore të pagave, krahas pritjeve pesimiste të konsumatorëve për gjendjen e tyre financiare, sinjalizojnë për një kërkesë të ulët për banesa”, analizon BSH-ja. Megjithatë, ballafaqimi i kërkesës me ofertën në këtë treg nuk ka rezultuar në çmime më të ulëta. Nga ana tjetër, indeksi i kushtimit në ndërtim ka ndjekur një prirje rënëse gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit.

Qiraja

Nuk mbetet pas tregu i qirave me rritjen e çmimeve. Në kushtet kur apartamentet mbeten të larta për t’u blerë, individët shkojnë drejt qirave, duke bërë presion në treg për stimulim të shtrenjtimit. Indeksi i qirasë së banesave është rritur me 2.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Megjithatë, sipas BSH-së, kjo rritje e indeksit të qirasë pason rënien e tij gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit 2009. Ndryshimet përkatëse të indeksit në këto periudha ishin -4.4 dhe -15.6 për qind. Indeksi i qirasë u rrit me 21.1 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e kaluar. Raporti i indeksit të çmimeve të shitjes me qiranë e banesave ka rënë në tremujorin e parë të vitit 2010, si pasojë e ndryshimeve tremujore në kahe të ndryshme të çmimeve dhe qirasë së banesave. Ky raport aktualisht qëndron poshtë trendit të tij historik, përfundon analizën BSH-ja.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›