E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konservatorët, shanse për qeveri me liberal-demokratët

Nick Clegg ka marrë në shqyrtim ofertën e Cameron për një kabinet të përbashkët

Liberal-demokratët britanikë theksuan dje mundësinë e një bashkimi me Partinë Konservatore, në mënyrë që të formojnë një koalicion qeveritar paszgjedhor, duke qenë se asnjë parti nuk arriti e vetme në zgjedhje që të merrte numrin e duhur të votave për të krijuar një qeveri menjëherë dhe pa ndihmën e aleatëve. Ndërkaq situata karakterizohet nga bisedime mes faktorëve kyç të partive kryesore britanike, në mënyrë që të arrihet një formacion i parë qeverisës, në një kohë sa më të shpejtë. Kreu i liberal-demokratëve, Nick Clegg, shprehu dyshimet në lidhje me funksionimin e një koalicioni me konservatorët, me të cilët ka pika të përbashkëta, sikundër ka edhe kundërshti, por, sipas tij, ia vlen që t’u jepet konservatorëve një shans. Kjo, sepse ata fituan numrin më të madh të votave në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan në Britaninë e Madhe të enjten e kaluar. Me 306 vende të arritura në Parlament, David Cameron-it do t’i duheshin 20 vite të tjera që të formonte i vetëm një qeveri vetëm me konservatorë, por duke qenë se në këto zgjedhje morën një numër të konsiderueshëm votash edhe liberal-demokratët, ndoshta një koalicion me ta do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për krijimin e kabinetit qeveritar. Një koalicion i tillë do t’i jepte konservatorëve një mbështetje dhe siguri të madhe për të kaluar ligjet në Parlament. Liberal-demokratët, megjithatë, tregohen shumë të kujdesshëm dhe marrin kohën e duhur për të shqyrtuar ofertat dhe kryesisht për ofertën e konservatorëve dhe, sipas tyre, nuk do të ketë vendimmarrje as sot, por ndërkohë do të fillojnë konsultimet. Liberal-demokratët parashikojnë që bisedimet të jenë të gjata, sepse ka shumë çështje për t’u diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm. Gjithsesi një vendim do të merret me siguri brenda ditëve të para të javës së ardhshme. Në fakt, të dyja partitë kanë disa mosmarrëveshje që mund të jenë të vështira për t’u sheshuar, përshi atë për ndërtimin e një nëndetëseje bërthamore zëvendësuese për atë që është aktualisht, si dhe mosmarrëveshje për llojin e reformave që duhen marrë në sistemin e votimeve. Megjithatë duket se të dyja palët do të tolerojnë për të bërë një qeveri, që në qendër të punës së saj do të ketë kryesisht rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe daljen përfundimisht nga kriza financiare e dy viteve të fundit, e cila u shoqërua me recesion shumë të madh dhe të dëmshëm për rritjen e ekonomike.

Ndërkaq, sa të ndërmerret ndonjë vendim për qeverinë e re, Kryeministri Brown do të vazhdojë të qëndrojë në postin e tij, pavarësisht se Partia e tij Laburiste zuri vendin e dytë në zgjedhje. Ndërkaq, nëse liberal-demokratët do të marrin pjesë në qeverinë e ardhshme në përfundim të ndonjë marrëveshjeje, ata kanë shansin që të ndryshojnë sistemin e votimit në vend, që deri më tani i ka dhënë një avantazh të madh sistemit dypartiak dhe konkretisht dy partive të mëdha, asaj Konservatore dhe Laburiste. Liberal-demokratët fituan 23% të votave në zgjedhjet e së enjtes, por vetëm 9% të vendeve në Parlament. Ky sistem për liberal-demokratët nuk është i drejtë për partitë e tjera që duan që të konkurrojnë, sepse ato paragjykohen që në fillim. Liberal-demokratët janë mbrojtës të një sistemi që përdoret në shumë vende të Europës Kontinentale, sipas të cilit vendet fitohen në bazë të numrit të votave dhe asnjë parti nuk ka një pozicion preferencial.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›