Sanader hedh poshtë akuzat

Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, i arrestuar në Austri më 10 dhjetor dhe i dyshuar për përvetësim fondesh e korrupsion, përgënjeshtroi çdo lëvizje të mundshme ilegale të parave në llogari të ndryshme bankare austriake.
Lajmin e bën të ditur avokati i tij, Verner Supan. “Klienti im bëri sqarimet e nevojshme sa i përket lëvizjeve të fondeve në llogaritë e tij bankare në Austri, ku drejton një shoqëri konsultative”, pohoi avokati pas një seance dëgjimore që zgjati pesë orë, gjatë së cilës Ivo Sanader u mor në pyetje nga oficerët e Zyrës së Antikorrupsionit austriak, në burgun e Salzburgut.
Kjo seancë pyetjesh u zhvillua pas një padie të një banke austriake për një aferë të mundshme pastrimi parash në vlerë prej 1.3 milionë eurosh në llogari të ndryshme, në emër të ish-kreut të qeverisë apo të anëtarëve të familjes së tij.
Sipas prokurorisë së Zagrebit, Ivo Sanader, që ka drejtuar qeverinë kroate në vitet 2003-2009 dhe që dha dorëheqje papritur, dyshohet si i përfshirë në disa afera korruptive me një vlerë rreth gjashtë milionë euro.
Ai u largua nga Kroacia disa orë pas lëshimit të mandat-arrestit kundër tij.
Nga ana tjetër, Sanader shprehet se është viktimë e “një gjuetie shtrigash”, që mund të jetë organizuar nga kryeministrja konservatore e Kroacisë, Jadranka Kosor.