E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vargje si dhuratë

 
Festohet edhe në Shqipëri Dita e Poezisë me lexime, ekspozita e përkujtimore
 
Dhurime poezish, kujtime, ekspozita, lexime,… Tirana, Durrësi, Berati, Korça e qytete të tjera kremtuan dje Ditën Botërore të Poezisë. E konceptuar si një ditë e poezisë dhe jo e poetit, veprimtaritë u larguan nga takimet rutinë, bisedat e debatet mbi krijimtarinë, për t'u fokusuar tek fjala. Sipas organizatorëve, veprimtaritë këtë vit iu drejtuan niveleve shkollore, universitare dhe lexuesve që besojnë ende në poezi. Në shkolla nxënësve iu shpërndanë që më parë fragmente poezish, strofa apo vargje të emrave tepër të njohur nga poezia shqipe dhe ajo botërore, por pa i shpallur emrat e autorëve, me grishjen për ta vazhduar dhe plotësuar modelin e krijimi poetik pa u stepur nga emrat, fama apo format e paraqitjes. Ndërsa pasdite në galerinë "Zenit", kalimtarëve u janë dhuruar rrotulla me poezi, si dhurata më e mirë në këtë ditë. Një dhuratë që mbetet dhe që transmeton shumë më shumë se fjalë. U hap një ekspozitë me dorëshkrime të ilustruara poezish, u lexuan pjesë nga krijimtaria e poetëve që mungojnë dhe u promovua numri i ri i revistës "POETEKA 11". Po dje, në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës u zhvillua një takim përkujtimor kushtuar përkthyesit Sotir Caci, "Të mbajmë gjallë qiririn e përjetshëm të artit poetik". Edhe pse falë tij kanë ardhur në shqip romancierë si Tolstoj, Balzak, Stendal, Caci kujtohet si mjeshtër i përkthimit të poezisë, sidomos asaj franceze. Shqipëroi autorë si Bodler, Verlen, Rembo, etj. Të ftuar si Nasho Jorgaqi, Donika Omari e Ilia Lëngu folën për vlerat e shqipërimeve të Cacit, të cilat është e vështirë të arrihen nga të tjerë përkthyes. Me këtë rast u lexuan edhe disa poezi të shqipëruara ngë Sotir Caci, i cili u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare. Në vijim të ditës së poezisë, në Berat, Korçë e Durrës u lexuan krijime të autorëve të huaj e atyre lokalë. Simbolik ishte edhe dhurimi i vargjeve të shkruara mbi gurë lumi në Berat.
Dita e Poezisë mendohet të jetë e pranishme që prej vitit 1505. Është kujtuar në muaj të ndryshëm të vitit dhe në forma të larmishme organizimi, sipas veçorive, besimeve dhe parapëlqimeve të secilit komb. Data 21 mars u shpall si e tillë nga UNESCO në vitin 1999. Përveç krijimit të një dite të veçantë në nderim të poezisë dhe krijimtarisë poetike, qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike, botimi i saj si dhe krijimi i një atmosfere mikpritëse për praninë poetike kudo në botë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›