OKB në Gërdec për të vlerësuar dëmet
Një grup ekspertësh nga OKB ka mbërritur sot në Gërdec për të vlerësuar dëmet. Nga të dhënat paraprake mësohet se grupi përbëhet prej 7-10 ekspertë, të cilët do të qëndrojnë rreth 2 javë për të vlerësuar çdo dëm material që ka shkaktuar shpërthimi në Gërdec. Grupi ka marrë pjesë sot edhe në mbledhjen e këshillit bashkiak të Vorës. Vlerësohet se janë rreth 4200 banesa të dëmtuara, 319 prej të cilave janë me dëmtime të mëdha. OKB do të bëjë edhe vlerësimet e dëmeve brenda shtëpive të banuara.
Nga ky vlerësim do të përcaktohet edhe shuma e parave që do ti duhet qeverisë shqiptare për të rimëkëmbur Gërdecin.
Oketa në Gërdec
Zv/kryeministri Gazmend Oketa, i cili mendohet të zërë vendin e Fatmir Mediut në Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë gjithashtu sot në Gërdec për të monitoruar situatën. Ai ka deklaruar se gjithçka është nën kontroll dhe se ka filluar shpërndarja e fondit që qeveria ka vënë në dispozicion për banorët e Gërdecit. Mësohet se çdo familje do të përfitojë fillimisht një fond prej 50 mijë lekësh.