Erdhi policia për ngushëllim!Nga Denis DyrnjajaTashmë s’do të kemi aksidente automobilistike në autostradën Tiranë-Durrës. Mos t’ju duket e çuditshme. Vdiq kush vdiq, tani që policia vendosi të qëndrojë 24 orë në shërbim në çdo segment të rrugës s’do
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Erdhi policia për ngushëllim!Nga Denis DyrnjajaTashmë s’do të kemi aksidente automobilistike në autostradën Tiranë-Durrës. Mos t’ju duket e çuditshme. Vdiq kush vdiq, tani që policia vendosi të qëndrojë 24 orë në shërbim në çdo segment të rrugës s’do të ketë më përplasje mes makinash dhe me trafikndarëset e rrugëve. Por edhe po ndodhi ndonjë rast i veçantë, që dikush mund të bëjë aksident, policia shkon në vendngjarje dhe askush të mos shqetësohet, se edhe pse ka humbur jetën, personit të ndjerë do t’i jepet ndihma e nevojshme dhe nëse ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, pavarësisht se ka vdekur, do t’i hiqet patenta. Këto janë marri, marri shqiptarësh. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, në mesatare vjetore, çdo ditë në Shqipëri humb jetën në aksidente rrugore një person dhe plagosen dy të tjerë. Në kushtet e bilancit të viktimave të një lufte, policia vendosi të reagojë. Po si? Duke shtuar patrullat dhe prezencën e saj në autostradë. E çfarë zgjidhjeje do të mund t’i jepte kjo situatës tragjike të krijuar?! Apo do bëjmë sërish sikur po përpiqemi?! Problemi në fakt nuk duket se nis nga rruga, që duhet ruajtur me më shumë rojtarë (policë në rastin konkret), por nga autoshkollat, nga vetë policia dhe veçanërisht nga popullata. Besoj se nuk jam i pari që sjell në vëmendje mënyrën se si është marrë e mund të merret një leje për drejtimin e automjetit, edhe pa shkuar fare në kurs. Kursantë që dalin nga autoshkollat dhe janë tërësisht të pasigurt në drejtimin e automjeteve dhe këta i has çdo ditë me tabelën “Kujdes, jam shofer i ri”. Po kush të ketë kujdes prej teje o njeri i Zotit? Fëmija 5 vjeç që kalon rrugën i shkujdesur apo një i (e) moshuar? Nuk jam i pari që po them se edhe po të kapi në shkelje të Kodit Rrugor, policia gjen zgjidhjen me ndonjë lek të shpejtë nën dorë (kam dëgjuar se falë ryshfeteve ka dhe policë rrugorë që kanë vila disakatëshe), por kjo është punë për SHKB, në Ministrinë e Brendshme. E meqë policisë dhe shoferëve të papërgjegjshëm nuk ka ç’u bën askush, se kanë nënshkruar kontratën e përhershme mes tyre nën moton “hajt se rregullohemi”, ne të tjerëve na duhet të përpiqemi ta gjejmë zgjidhjen te vetja. Ajo është e thjeshtë. Nëse do të kemi pak respekt për veten, duhet vetëm të respektojmë semaforin, të kalojmë në mbikalime dhe jo kuturu, përmes autostradave e rrugëve. Duhet t’u mësojmë fëmijëve në shkolla se si ecet në rrugë e se respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor është qytetari e vlerë njerëzore, sepse ndryshe nuk kemi nevojë të ruhemi nga gripi i derrit, por nga “gripi i shoferëve“, që po bën kërdinë. Për sa kohë do të vazhdojmë ta trajtojmë veten si bagëti dhe jo si njerëz, nuk kemi pse u kërkojmë kot llogari shoferëve dhe aq më shumë policëve. Në fund të fundit e thamë që diku me dashje e diku pa dashje ata e kanë bërë të qartë se janë një kërcënim i vazhdueshëm për kalimtarët në rrugë. Më shumë na e rrezikojnë, se na e kursejnë jetën. Kush shpëton qar e ka, kush ikën nga kjo botë se e shkeli makina, mos të ketë pishman se policia vjen, si për ta çuar në morg, si për t’i shprehur ngushëllime!