Avokati i Popullit: Shteti, përgjegjës për aksidentet rrugoreNga TemaZyra e Avokatisë së Popullit, pas një sërë inspektimesh në shumë prej akseve rrugore në kryeqytet dhe Durrës, bëri të ditur se shteti është përgjegjës për numrin e lartë të aksident
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Avokati i Popullit: Shteti, përgjegjës për aksidentet rrugoreNga TemaZyra e Avokatisë së Popullit, pas një sërë inspektimesh në shumë prej akseve rrugore në kryeqytet dhe Durrës, bëri të ditur se shteti është përgjegjës për numrin e lartë të aksidenteve rrugore. Kjo, pasi në shumë prej akseve rrugore të inspektuara mungonte sinjalistika e nevojshme, si vijëzimi, ndriçimi, muret ndarëse etj., të cilat kthehen në motiv të vazhdueshëm për ndodhjen e aksidenteve rrugore. Sakaq, aksidentet rrugore vazhdojnë që të marrin jetë njerëzish. Mëngjesin e djeshëm, tre persona, dy vëllezër dhe një kushëri i tyre, emigrantë në Angli, që kishin ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri, kanë gjetur vdekjen pas një aksidenti rrugor.
Konstatimet
Duke parë numrin e lartë të aksidenteve të ndodhura gjatë ditëve të fundit, Zyra e Avokatisë së Popullit ka ndërmarrë një sërë inspektimesh në akset rrugore nacionale Tiranë-Rinas, Rinas-Fushë-Krujë, Fushë-Krujë-Kashar-Prezë-Vorë dhe Vorë-Durrës. Gjatë këtij inspektimi është arritur në përfundimin që shteti është përgjegjësi kryesor në ndodhjen e aksidenteve rrugore duke mos pajisur rrugët me sinjalistikën e nevojshme, që kthehet në shkak për aksidentet. Kështu, Zyra e Avokatisë së Popullit konstatoi se, “te mbikalimi i ndodhur te kryqëzimi i rrugës së Kamzës me Rrugën e Durrësit, rezultoi që ka mungesë të sinjalistikës fosforeshente përgjatë murit ndarës së superstradës Tiranë-Durrës. Mungon tërësisht ndriçimi i sipërm i rrugës, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes të këtij sistemi dhe mos-zëvendësimit të llambave të djegura në shtyllat e ndriçimit. Në vazhdim të superstradës Tiranë-Durrës konstatohet mungesa e kufizimit viziv mbrojtës në anën e jashtme të rrugës, çka do të evitonte aksidente të mundshme që reduktohen, nëse do të ekzistonte ky kufizim. Gjithashtu, e gjykojmë të nevojshme ngritjen e lartësisë së murit ndarës së karrexhatave të rrugës, me qëllim evitimin e kalimeve të këmbësorëve nga njëra anë në anën tjetër të rrugës”. Sipas këtij raporti, gjatë gjithë këtyre viteve ka rezultuar që këto kalime të kenë përbërë një nga shkaqet kryesore të numrit të madh të aksidenteve të ndodhur në këtë superstradë. Sakaq, “në pjesën ndarëse të rrugës Tiranë-Durrës (superstrada), me rrugën që të çon në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, konstatojmë që sinjalistika treguese për destinacionin kryesor të arritshëm (aeroporti), nuk është e qartë, dhe për më tepër edhe ajo sinjalistikë që ekziston është në pamje vizive të papërshtatshme për të mundësuar manovrimin në kohë të drejtuesve të mjeteve motorike që udhëtojnë në këtë aks. Gjendja paraqitet edhe më serioze për shkak të mungesës totale të ndriçimit të sipërm të rrugës me llamba neon. Faktikisht infrastruktura e ndriçimit ekziston, por me sa duket për shkak të mosmirëmbajtjes në shtyllat përkatëse nuk ka llamba ndriçimi”, - thuhet në përfundimin e inspektimit nga ana e Zyrës së Avokatisë së Popullit. Mungesa të theksuara në sinjalistikë janë konstatuar edhe në akset e tjera rrugore, ndërsa Zyra e Avokatisë së Popullit ka kërkuar përmirësimin e situatës me qëllim shmangien e aksidenteve. “Të gjitha këto konstatime tregojnë se aktualisht gjendja e sinjalistikës rrugore në akset e inspektuara nga ana jonë, nuk është aspak e mirë dhe përbën një nga shkaqet potenciale për ndodhjen e aksidenteve rrugore. Në të tilla kushte Avokati i Popullit apelon për më shumë kujdes dhe profesionalizëm dhe njëkohësisht për më shumë përgjegjësi në ushtrimin e detyrave dhe kompetencave të ngarkuara me ligj, me qëllim që të shmangen të gjitha ato mosveprime që sjellin pasoja shumë serioze për jetën e individëve. Avokati i Popullit ka rekomanduar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për marrjen e të gjitha masave tekniko-organizative për përmirësimin e gjendjes së ndriçimit dhe sinjalistikës rrugore në akset e inspektuara nga ana jonë, bazuar në konstatimet e mësipërme. Fillimin e inspektimeve nga ana e Drejtorisë së Rrugëve për evidentimin e mungesës së ndriçimit dhe të sinjalistikës rrugore në të gjitha akset, si dhe marrjen e masave për përmirësimin e gjendjes në të gjitha ato akse që do të evidentohen si problematike”, - bëri të ditur Zyra e Avokatisë së Popullit.
Aksidenti tragjik
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, teksa tre persona, dy vëllezër dhe një kushëri i tyre, kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në urën e njohur me emrin si ura e Dedë Gjo Lulit, në aksin Shkodër-Velipojë. Viktima të këtij aksidenti të rëndë mësohet se janë vëllezërit Përparim dhe Besim Haliçaj dhe djali i hallës së tyre, Selami Hakaj. “Nga aksidenti gjetën vdekjen Përparim Haliçaj, 36 vjeç; Besim Haliçaj, 32 vjeç dhe djali i hallës së tyre, Selami Hakaj, 27 vjeç”, - bënë të ditur burimet e policisë lokale. Mësohet se tri viktimat ktheheshin nga Anglia, ku dhe jetonin prej disa vitesh si emigrantë, me qëllim kalimin e pushimeve të verës në Shqipëri. “Viktimat janë nga Gradeci i Malësisë së Madhe dhe jetojnë e punojnë në Angli, ku janë prej vitesh emigrantë. Ata kishin ardhur në Shqipëri për të kaluar pushimet e verës”, - thanë burime pranë policisë. Sipas këtyre të fundit, aksidenti i rëndë dyshohet që të ketë ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana drejtuesit të automjetit, kjo si pasojë e pagjumësisë, pasi viktimat kishin disa orë që udhëtonin për të mbërritur në shtëpi. Gjë që në fakt nuk ia kanë arritur dot, pasi aksidenti tragjik u mori jetën, duke shkaktuar kështu një dhimbje të thellë në familjet e tyre. Fundi i javës së kaluar dhe fillimi i kësaj jave kanë qenë më të vërtetë tragjikë, pasi ka ndodhur një numër i madh aksidentesh, prej të cilëve kanë gjetur vdekjen 17 persona dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur.
Shkaqet
Vera shënon numrin më të lartë të aksidenteve të ndodhura në vendin tonë, aksidente këto që shoqërohen me viktima të shumta. Burime pranë policisë thonë se shkaqet e këtyre aksidenteve janë të shumta, duke filluar që nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, ecja me shpejtësi tej normave të lejuara, pakujdesia e drejtuesve të automjeteve, mungesa e sinjalistikës në rrugë etj. Sipas burimeve të mësipërme, shtimi i numrit të aksidenteve gjatë verës ndodh më së shumti për shkak të rëndimit të qarkullimit rrugor, pasi në vend vijnë emigrantë të shumtë, por edhe turistë, të cilët kalojnë pushimet në Shqipëri. Këta të fundit, duke mos njohur si duhet rrugët, bëhen shkak për përplasjen me automjete të tjera, duke shkaktuar kështu aksidente të shumta. Madje, sipas shifrave të policisë, pothuajse në të gjitha aksidentet e ndodhura gjatë verës në vendin tonë, një prej automjeteve të përfshira në aksident do të jetë më targa të huaja. Duke parë këtë situatë, policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve, sidomos atyre që vijnë nga jashtë, që të tregohen më të kujdesshëm gjatë drejtimit të mjetit dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Vetëm kështu, sipas tyre, mund të shmangen aksidentet e shumta rrugore, të cilat vetëm gjatë ditëve të fundit të javës që kaloi kanë shënuar një numër rekord viktimash dhe të plagosurish.