Sandri pushton godinën e fundit në KinostudioNga Antena brenda familjesPërveç telasheve pafund që ka me gjithë hallet e shtetit, Sandri ka dy ditë që drejton dhe një operacion gjysmë ilegal për boshatisjen e godinës së fundit që ka mbetur pa u zaptua
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sandri pushton godinën e fundit në KinostudioNga Antena brenda familjesPërveç telasheve pafund që ka me gjithë hallet e shtetit, Sandri ka dy ditë që drejton dhe një operacion gjysmë ilegal për boshatisjen e godinës së fundit që ka mbetur pa u zaptuar në Kinostudio.
Drejtuesit e institucionit, që tani kanë të drejtë të hyjnë vetëm në zyrën e tyre, pasi të marrin leje nga rojet e Sandrit, nuk i japin dot më zgjidhje situatës.
Njëri prej tyre më në fund guxoi dje dhe ndaloi disa nga punëtorët e Sandrit që po boshatisnin godinën.
- Më falni, - tha, - të kujt jeni ju që po boshatisni këtë godinën?
Punëtorët, të instruktuar nga Sandri për të qenë të paqartë, iu përgjigjën.
- Nuk e di shefo, ne na tha Sandri: “Shkoni ndihmoni pak ata të Top Channel, se bën zhurmë ai Kujtim Çashku”, dhe ne po heqim këto sendet nga kjo godina.
- Më falni, po jeni të Klanit apo të Top Channel-it?
- S’e di shefo, se Sandri na tha: “Mos rrini duarkryq, se jemi të shtëpisë këtu, duhet të ndihmojmë dhe mysafirët e rinj” dhe vallahi nuk e di se për kë po punojmë.
I shqetësuar zyrtari i Kinostudios hyri në zyrë. Hapi dhe një herë kontratat e Sandrit. Me letra i bie që ai të ketë marrë rreth 3 mijë metra katrorë në Kinostudio, kurse në fakt me këtë godinën, që po pushton, ai shkon në 20 mijë metra katrorë. D.m.th., gjashtë herë më shumë sesa letrat, për të cilat nuk paguan as qira, nuk paguan as taksa, se nuk i figurojnë me letra.
I mërzitur mori në telefon në Ministri të Ekonomisë. Aty i doli një grua me emrin Moza. Filloi t’i shpjegonte asaj se ky i Klanit ka pushtuar 20 mijë metra katrorë, kurse me letra ka vetëm 3 mijë metra katrorë.
- A ka më hapësirë bosh? - e pyeti gjithë shqetësim Moza.
- Jo, jo, - i tha nëpunësi. - Kjo ishte e fundit. Pas kësaj kjo mund të quhet si pronë e Aleksandër Frangajt, ku ne të Kinostudios kemi një zyrë me qira.
- Të lutem, se e dua me siguri këtë, - i tha Moza.
- E sigurt është, - i tha nëpunësi i Kinostudios.
- Ah, kjo po më gëzon shumë, - i tha Moza. - Kur do shpëtoj nga ajo tokë e mallkuar e Kinostudios, se kam katër vjet që e gdhij ditën e punës me Sandrin dhe e mbaroj me Sandrin. Të lutem, jepjani urgjent çfarë ka mbetur, ta ketë ai të gjithë dhe të shpëtojmë.
- Po atë po them dhe unë zonjë, t’ia japim të gjithë, po me letra s’e ka, e ka zaptuar pa letra e s’po na paguan gjë.
- Aman ta marrë me letra, pa letra, vetëm të mos ketë më tokë për të marrë, se çdo ditë merr në telefon doktorin dhe i thotë që “po më sorollatin për atë tokën në Kinostudio.”
- Po unë si t’ia bëj për inventarin, - i tha zyrtari, - se nuk di kush po i pushton këto zyra?
- Mos ki merak, se nuk të thotë njeri gjë. Mjafton që ai të mbyllë gojën dhe t’i marrë të gjitha. Kjo na shpëton të gjithëve, se na bien veshët në qetësi. Se e gënjen dhe doktorin përditë dhe ai mendon se Sandri kërkon ndonjë copë tokë të vogël dhe ne s’ia japim. Ne ua kemi hequr pronarëve dhe po ia falim atij.
- Po më jepni dhe mua një copë letër të shpëtoj nga ky hall, - i tha zyrtari i Kinostudios.
- Jo, nuk ka problem, se janë dhënë për interes publik, - i tha Moza. - TV Klani tani është si Kinostudio njëherë koha. Kinostudio prodhonte filma dhe dokumentarë për Enver Hoxhën, TV Klani prodhon për doktorin. Kështu që misioni është i njëjtë, është përsëri mision publik. Meqë ka ndërruar koha, ndërron dhe pronari.
- Po mirë e ke ti moj zonjë, po unë si ta bëj në letra? Se në letrat që kam unë, toka figuron e Kinostudios dhe Sandri është me qira, kurse këtu në terren Kinostudio është me qira dhe toka është e Sandrit.
- Po ç’rëndësi kanë pronarët, punë përqindjesh janë, mjafton që ne i kemi partnerë, - i tha Moza. - Mjafton që ai të mos ankohet. Dhe aman të keqen, mos bëni sherr, se ai vëllai i vet ka një celular Nokia të madh që e mban vetëm për sherr, se kërkon të godasë, kur të bëni sherr. Dhe policinë e rajonit 4 e ka ndërruar dhe ka vënë njerëzit e tij, që vijnë të arrestojnë për 2 minuta, po pate sherr. Kështu që mos na hap telashe. Le t’i marrë të gjitha, se biem rehat të gjithë.
- Po sikur të flas njëherë me atë Fevziun, se ai më duket më i arsyeshëm? - i tha zyrtari.
- Fol, ç’të të them unë, - i tha Moza, - po kam frikë se nuk e takon dot atë, se duhet të lësh takim me sekretaren, ajo do të tregojë një axhendë që ai ka takim me Olli Rehnin për vizat, me Jeremiçin që t’i tërheqë vëmendjen, pse pengon Shqipërinë, me Lul Bashën, se i ka premtuar një palë pirunë firmato, me Majlinda Bregun, se do ta pyesë ai i pëlqeu shkrimi për vizat dhe kam frikë se s’do ta takosh dot.
- Jo, po të jetë për kaq gjatë, po i bëj sms doktorit, - i tha zyrtari.
- Bëje dhe atë, s’të pengon njeri, po ai, po pa çështje tokash, ia përcjell mesazhin vajzës dhe ajo, atje ku hyn Sandri, nuk hyn.