Sandy çrregullon fushatën në SHBA

Personeli i Obamas tha se presidenti diskutoi planet e përgatitjes për stuhinë në një konferencë telefonike me zyrtarët e emergjencës dhe të sigurimit, gjatë udhëtimit të tij për në New Hampshire. Zyrtarët thanë se zëvendëspresidenti Joe Biden anuloi ndalesën e tij të fushatës në zonën bregdetare të Virxhinias, për t’u dhënë mundësi autoriteteve të përqendrohen në përgatitjet për të përballuar stuhinë.
Edhe Romney anuloi vizitat e tij në Virxhinia. Ai bëri fushatë në Florida, shtet që i ka shpëtuar rrezes së uraganit Sandy. Romney kritikoi presidentin, duke thënë se agjenda e tij është pa vizion dhe premtoi se po u zgjodh president, ai do të ndërtojë ura komunikimi me demokratët e Kongresit.
Rreth 2000 kilometra në veri, presidenti u tha përkrahësve të tij në Manchester, New Hampshire, se katër votat elektorale të këtij shteti janë të rëndësishme për fitore në këtë garë presidenciale shumë të ngushtë.