E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanksione shtesë ndaj Sirisë e Iranit

BE’ja vendosi të rrisë presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Iranit dhe Sirisë. Të enjten ministrat e jashtëm të Unionit vendosën sanksione shtesë ndaj zyrtarëve dhe kompanive të këtyre dy shteteve problematike.

BE’ja po shtrëngon lakun ndaj Iranit dhe Sirisë. Edhe dymbëdhjetë figura tjera të udhëheqjes siriane nuk do lejohet të udhëtojnë më në vendet e BE’së, ndërkohë që njëmbëdhjetë kompani siriane do të përjashtohen nga bërja e biznesit me Bashkimin Evropian.

Me masat e reja është prekur edhe sektori financiar i Sirisë. Në këtë mënyrë Bashkimi Evropian përpiqet të bindë presidentin Bashar al-Assad që t'i japë fund shtypjes së dhunshme të protestave të opozitës.

Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian ka bashkëpunuar me Ligën Arabe. Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil el-Arabi, ishte i pranishëm në takimin e ministrave të jashtëm të BE’së në Bruksel. Në rastin e Libisë një bashkërendim i NATO’s dhe Ligës Arabe rezultoi me matarimin e vendimit në Këshillin e Sigurimit për ndërhyrje ushtarake kundër diktatorit, Muammar Gaddafi. Megjithëse, diçka e ngjashme, të paktën tash për tash, nuk mund të pritet në Siri.

Nga ana tjetër, në listën e zezë të BE’së janë futur edhe 180 personalitete dhe kompani nga Irani.

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE’së reaguan kështu ndaj raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), sipas të cilit Irani po bënë përpjekje të ndërtojë bombë bërthamore.

Ministrat e jashtëm evropianë i ndanë masat a miratuara nga reagimi ndaj sulmit kundër Ambasadës britanike në Teheran.

Pas takimit të Këshillit të BE’së, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Catherine Ashton, lexoi një deklaratë të përbashkët. "Këshilli është i brengosur nga sulmi ndaj Ambasadën britanike në Teheran. Dhe, e dënon ashpër atë. Gjithashtu, Këshilli kritikon edhe vendimin për dëbimin e ambasadorit britanik në Teheran. Këtë veprim e sheh jo vetëm si veprim kundër Britanisë së Madhe Mbretërisë, por edhe si veprim kundër Bashkimit Evropian në tërësi".

Ndryshe, përveç masave të miratuara, BE’ja po përgatit edhe sanksione të tjera ndaj Iranit, para së gjithash, në sektorin e energjisë dhe atë të financave. Sanksionet në fushën e energjisë dhe financave do ta godisnin shumë më rëndë Iranin sesa masat e deritanishme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›