Sanksionet e reja të SHBA-së nuk e trembin Iranin

Ministria e Jashtme e Iranit i ka denoncuar si “luftë psikologjike” sanksionet e reja të SHBA-së ndaj republikës islamike, të cilat u fuqizuan me një dekret nga presidenti Barak Obama.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ramin Mehmanparast po ashtu u tha gazetarëve se sanksionet amerikane nuk do të kenë ndonjë ndikim në rrugën e programit bërthamor të Iranit.
Ai tha se masat janë një “lëvizje antagoniste” që tregon politikën amerikane kundër Iranit, e cila sipas tij, po vazhdon që prej 30 vjetësh.
Urdhri i Obamës zgjeron sanksionet te të gjitha bankat iraniane dhe u kërkon të gjitha institucioneve financiare që veprojnë në SHBA që të ngrijnë transaksionet e dyshimta që kanë lidhje me Iranin.
Ky hap ka për qëllim që t`i bëjë presion Iranit për të ndaluar punën në ndërtimin e armës bërthamore. Irani mohon se po përpiqet të krijojë një armë të tillë.