E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sannino: Ky është vit vendimtar për Shqipërinë

Pas takimit, Sannino, theksoi se zgjedhja e Avokatit të Popullit ishte një shembull i mirë i bashkëpunimit politik dhe se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë edhe më tej.

“Shkëmbyem një bisedë konstruktive mbi hapat e mëtejshëm që duhet të ndërmerren. Kur isha herën e fundit u finalizua marrëveshja midis partive politike që solli fillimin e reformës zgjedhore, rishikimin e rregullores së Parlamentit dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Ndërkohë, ka ndodhur emërimi i Avokatit të Popullit me një frymë konstruktive dhe që është pranuar nga të gjitha palët”, theksoi ai për gazetarët.

Më tej, i dërguari i KE-së, tha se duhet të vazhdohet me reformat e nisura. “Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, të ruhet ritmi i reformave sepse ky është një vit me rëndësi për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Unë gjej rastin të theksoj që procesi i integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës sepse vetëm kështu mund të ecet përpara me reformat. I theksova z. Ministër për t’u konsultuar me kolegë të tjerë dhe institucionet e BE-së për të çuar përpara këtë proces”, tha gjithashtu.

Nga ana e tij, ministri Haxhinasto garantoi se qeveria shqiptare është e përkushtuar për të kryer të gjitha reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian, teksa ka shtuar se ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. “Ka nevojë për të nisur një ritëm për të plotësuar të gjitha detyrimet e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë dhe fokusi mbi këto prioritete të jetë i qëndrueshëm dhe procesi të japë produkte konkrete, që të sjellë statusin e vendit kandidat. Ky është një vit shumë i rëndësishëm, prandaj angazhimi i plotë dinamik për të arritur rezultate konkrete duhet të jetë i pakushtëzuar”, theksoi Haxhinasto. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-02-06 10:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›