E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Angazhim i perbashket qeveri-parlament per integrimin

Kryeministri Berisha u takua sot me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino për axhendën evropiane të Shqipërisë.
Sanino shprehu besimin për çuarjen përpara të axhendës evropiane si edhe vlerësoi zhvillimet pozitive të muajve të fundit, të cilat kanë sjellë një normalizim të klimës politike, duke theksuar se BE ndjek me interes progresin në reformën zgjedhore, atë parlamentare, miratimin e ligjeve me 3/5, si dhe pergatitjen e Planit te Veprimit.
Nga ana e tij kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesve të tij në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai rikonfirmoi se integrimi evropian mbetet prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi pozitivisht normalizimin e jetës politike në vend që pasoi në nënshkrimin e marrëveshjeve në fund të vitit 2011.
Kryeministri theksoi se zhvillimet e shkuara kanë vënë në pah rolin themelor dhe rëndësinë e padiskutueshme të respektimit, me vullnet të mirë politik, të shtetit të së drejtës, Kushtetutës dhe zbatimit të ligjit, si kusht për progresin e vendit dhe integrimin e tij evropian. Ai siguroi se respektimi i këtyre parimeve do të karakterizojë qëndrimin edhe në të ardhmen të mazhorancës së drejtuar prej tij.
Në takim u diskutua edhe mbi vazhdimin e reformave që vendi ndërmerr në fushën e ekonomisë, transparencës së qeverisjes, reformën në drejtësi. Sanino dhe Berisha ndanë të njëjtin mendim në lidhje me rëndësinë që ka paraqitja tek vendet anëtare të BE-së e Planit të Veprimit dhe prioriteteve të masave të tij, bashkarisht nga qeveria dhe Parlamenti, si një mesazh i një angazhimi të përbashkët të faktorëve të spektrit politik në funksion të integrimit, në mënyrë të veçantë në marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›