E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarah Jessica Parker

“Nuk e kuptoj se përse njerëzit që më takojnë rrugës, më shohin gjithmonë nga këmbët”. Së shpejti rikthehet në ekranin e vogël mbretëresha e serialit “Sex and the City 2”. “Dikur unë dhe Kerri ishim shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, ndërsa sot...”

“Shoe time again!”: gazetat amerikane njoftojnë për shfaqen e serialit të famshëm televiziv, “Sex and the city 2”. Takat e larta ishin një nga detajet e këtij seriali televiziv shumë të suksesshëm, që u shfaq dy vite më parë. Kapitulli i dytë, që ka të njëjtin skenarist dhe regjisor, Michael Patrick King, do të shfaqet më 28 maj. Natyrisht që nuk do të mungojnë edhe aktoret protagoniste: Sarah Jessica Parker (Kerri), Kim Cattrall (Samanta), Kristin Davis (Sharlot), Cynthia Nixon (Miranda). është një histori që fillon nga Nju Jorku dhe shtrihet deri në Lindjes e Mesme. Fama që i ka dhënë ky serial televiziv, e ka lejuar që të bëhet edhe një biznesmene e famshme: tashmë aktorja 45-vjeçare, Jessica Parker, është producente e filmit, ka prezantuar një linjë veshjesh dhe një parfum. Ndryshe nga personazhi i saj, Kerri, Sara është një grua shumë besnike. Prej 13 vjetësh është e martuar me aktorin Matthew Broderick, me të cilin ka edhe tre fëmijë.

Në këtë film ka ndonjë mesazh, apo është thjesht një vepër komerciale?

U bënë plot 12 vjet që e kemi prezantuar si film. Këtë herë i kemi bërë xhirimet në një vend ndryshe, me një kulturë të veçantë, e ku roli i femrës ndryshon nga ai në Amerikë. Megjithatë, qëllimi është që të thyhen rregullat e traditës dhe bindjet.

Pse nuk arritët të punonit në Emiratet e Bashkuara Arabe?

Pas bisedimeve të gjata, tema dhe veshjet u konsideruan të tepërta. Kështu që shkuam në Marok, sepse po na shqetësonin shumë edhe rojet mbretërore. Dhe në fakt na qëlloi më mirë: kishte më shumë disponibilitet dhe asnjë censurë paraprake. Pastaj dunat ishin të njëjtat ku u xhirua filmi “Lorenci i Arabisë”.

çfarë ka ndodhur në jetën e Kerrit gjatë dy viteve mes filmit të parë dhe të dytë?

Gjithçka ecën normalisht, përveç martesës me sipërmarrësin z.Big, me të cilin mbyllej edhe filmi i parë. Tanimë është, dhe dëshiron të ndihet një grua e martuar, një bashkëshorte e përkryer, pra çdo gjë që kjo fjalë simbolizon. Kerri nuk ka frikë nga e ardhmja dhe është e hapur ndaj aventurave, natyrisht që në kuptimin figurativ. Më mirë për të, sepse fati i sjell në rrugë ish të dashurin Aidanin.

Ju për çfarë e keni zili Kerrin?

Në fillim ishim shumë të ndryshme, por duke u plakur më duket sikur Kerri ka shumë ngjashmëri me mua. Për vite me radhë ajo ka qenë shumë e pavarur, ndërsa unë shumë e ngathët. Këtu e kam fjalën edhe për zgjedhjet që duhet të bëja: martesa, fëmijët. Më duket sikur ishte më me fat, sepse në fund të fundit duhet të kujdesej vetëm për veten. Tani është e martuar dhe ka lidhje të rëndësishme, prandaj them që më ngjan shumë.

Meqë ra fjala, cili është sekreti i një martese të lumtur?

Kryqëzimi i gishtave.

Koha që kalon është problem për ju?

Në fakt jo. Vetëm kur bëj intervista e kuptoj se po flasim për diçka që ka filluar në vitet ‘90. Fëmijët e mi janë shumë të vegjël për të kuptuar se nëna e tyre nuk është më 32 vjeçe si në episodin e parë të këtij seriali. Megjithatë po ju them se jam e qetë, nuk mund të bëj asgjë, sepse kjo punë nuk është në dorën time. Jam kundër çdo lloj ndërhyrjeje kirurgjikale. Mund të jetë një klishe, por vitet që kalojnë të japin më shumë eksperiencë, pra më shumë siguri në zgjedhje, pa u frikësuar për rrezikun e gabimit.

Deri tani folët ju, po aktorja ç’mendon? Hollivudi është në kërkim të rinisë së përjetshme. A ju sheh edhe juve me dyshim?

Deri tani nuk ka ndodhur. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë. Nëse do të ndodhë e kundërta, të jeni të bindur se do të jetë një bisedë e trishtuar, domethënë që keni të bëni me një person të zhgënjyer. Problemi i vërtetë është se në filmat e ditëve të sotme shoh shumë meshkuj. Për femrat është tepër e vështirë. Ne të katërta jemi një mrekulli. Por më vjen më mirë për suksesin e Katherine Heigl, që tanimë është afirmuar në botën e kinemasë.

Mendova se do të përmendnit emrin e Meryl Streep, e cila edhe pse është në moshën 60-vjeçare, vazhdon të ketë një karrierë të suksesshme...

Në fakt doja ta përmendja, por nuk kam guxim të krahasohem me Meryl Streep në asnjë mënyrë, është e jashtëzakonshme... Megjithatë, shembulli i saj tregon se femrat janë të zonjat në çdo moshë.

çfarë ndjeni kur ju konsiderojnë si një ikonë të modës?

Më vjen për të qeshur. Unë nuk jam e çmendur si Kerri për të bërë pazar. Nuk e ndjek shumë modën. Kur blej diçka, anohem më tepër te klasikja, në mënyrë që ajo veshje të zgjasë për shumë vite. Maksimumi mund ta modifikoj, duke i shtuar ose pakësuar ndonjë detaj, për t’i dhënë më shumë hapësirë origjinalitetit. Natyrisht që, që kur jam bërë njësh me Kerrin, eksperimentoj më shumë, kam më shumë guxim, pranoj çdo ndryshim estetik që mendoj se më shkon. Kur njerëzit më takojnë rrugës, gjëja e parë që më shohin janë këpucët dhe mbeten të zhgënjyer kur më shohin një palë shapka të sheshta me gisht, edhe pse është mëngjes e po shoqëroj djalin tim për në shkollë.

Keni ndonjë dëshirë që u ka mbetur peng në zemër?

Nuk arrita që të bëhesha kurrë një balerinë, por do të isha vërtet një e gjorë nëse do të qahesha.

ç’mendim keni për ato nëna që thonë: “Fëmijët e mi do të bëjnë atë që nuk bëra unë”. Fëmijët tuaj do të bëhen balerinë?

Nuk e di. Kam kuptuar se janë fëmijët që i edukojnë prindërit dhe jo anasjelltas.

Po ju ç’lloj nëne jeni?

E kuptueshme dhe shumë frikacake. Trembem sa herë që kam vizitën për te pediatri.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›