Sherifet e Wall Street
Po sikur Wall Street të drejtohej nga femrat? Nuk është fillimi i një artikulli, por një shaka që shefi aktual i Thesarit Amerikan, Timothy Geithner, bëri disa kohë më parë, madje para se të merrte detyrën e rëndësishme në administratën e Obamës. Në fakt, në media nuk përmendet shpesh fakti se institucionet që krijuan krizën më të madhe financiare të botës së këtyre 100 viteve të fundit, ishin të drejtuara tërësisht nga meshkuj. Dhe është një fakti i padiskutueshëm se, sot e kësaj dite, në të gjitha bankat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga “Citigroup” e deri te “Goldman Sachs”, ka punuar një numër jashtëzakonisht i vogël grash në pozicione kyçe, vetëm 3%, sipas një studimi të fundit. Për sa i përket shakasë së shefit të Thesarit, ajo në vetvete nuk është aspak e jashtëzakonshme për ambientin e Uashingtonit, por edhe këtu gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Madje ky ndryshim ra në sy në një takim të fundit të faktorëve të situatës financiare në Shtetet e Bashkuara, ku në një panel çuditërisht u ulën shumë më tepër gra nga sa mendohej. Njëra prej tyre ishte Sheila Bair, shefja e Korporatës së Sigurimeve të Depozitës Federale (FDIC), një nga institucionet e para rregullatore të vendit, që ishte ndër të parat e cila “i ra ziles së alarmit” për situatën e rëndë financiare para fillimit të krizës. Ajo ishte ulur pranë shefes së (SEC), Komisionit të Sigurimeve dhe Shkëmbimit, Mary Shapiro, e para grua që ndodhej në një post të tillë shumë të rëndësishëm. Institucioni që ajo drejton sapo ka nisur një betejë ligjore me bankën e fuqishme të Wall Street, “Goldman Sachs”, në lidhje me akuzat ndaj saj për mashtrim të investitorëve dhe klientëve para dhe gjatë krizës. Dhe gruaja e tretë, jo më pak e fuqishme e ulur në panel, ishte Elisabeth Warren, shefja e (TARP), Programi i Shpëtimit për Asetet Problematike, një nga avokatet më të mëdha për rregullatorët e rinj konsumatorë-financiarë. Bankat dhe aleatët e tyre bënë ç’ishte e mundur që ky institucion të mos fillonte punë. Befas diçka u bë e qartë, ndërsa këto tri gra ndodheshin një ditë të bukur në të njëjtin panel: këto gra në të vërtetë mund të mos e drejtojnë Wall Street-in, por në këtë epokë të re ato janë duke i treguar Wall Street-it se si të reformohet e pasurohet. Edhe në Uashington gjërat kanë filluar të ndryshojnë. 3 nga katër komisionerët e SEC janë gra, shefja e Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Këshillimet Ekonomike është një femër dhe nënë e tre fëmijëve dhe në Senat gratë kanë marrë në dorë iniciativën për krijimin e një sistemi shumë më të rreptë mbikëqyrës rregullator ndaj institucioneve financiare. Senatorja e Arkansasit, Blanche Lincoln, i tronditi bankat në prill pas kërkesës për një rregullore më të ashpër ndaj derivativave. Ajo u vendos në krye të këtij qëllimi dhe arriti sukses edhe në ligjin e sapomiratuar në Senat. Krejt ndryshe nga meshkujt, të cilët duan që t’i reformojnë, “sherifet” e Wall Street nuk kanë aspiruar kurrë që të kenë rroga me 8 apo 9 shifra, rroga që janë karakteristike për shefat e lartë të korporatave. Bair, Schapiro dhe Warren i kanë nisur dhe vazhduar karrierat e tyre larg Manhatanit, duke punuar deri në momentin e fundit të shtatzënive e duke qenë më të mira se gjithë meshkujt që kishin përreth. Por ajo që i bën këto gra të jenë vërtet të fuqishme dhe të ndryshme nga paraardhësit e tyre meshkuj, është vullneti dhe vendosmëria për të ndryshuar një situatë të stërzgjatur status-kuoje në botën e financës së lartë dhe bankave të fuqishme. Ndërsa në Uashington po punohet me intensitet për të zbatuar ligjin e ri mbi kontrollin financiar që sapo u miratua në Senat, këto gra janë duke u dhënë formë mënyrave me të cilat qeveria do të mbrojë investitorët dhe konsumatorët në të ardhmen. Në reformën e sistemit rregullator, të cilën të treja gratë e mësipërme e mbështesin, si SEC, ashtu edhe FDIC, do të marrin një fuqi shumë të madhe. Sipas Warren, gratë në sektorin e shërbimeve financiare janë jashtëzakonisht të rralla”, thotë Warren kur e pyesin se çfarë e lidh me dy zonjat e tjera të fuqishme të rregullatorëve. “Ka një tendencë, nga disa, jo nga të gjithë, për t’i nënvleftësuar gratë, qoftë kur bëhet fjalë për një mendim tonin, apo produkt”, vazhdon ajo. Kjo mënyrë sjelljeje sipas shumë ekspertëve duhet që të ndryshojë edhe në Wall Street dhe madje në mënyrë të menjëhershme.
Analizuesja e bankaveSheila Bair e ka zyrën e saj në Uashington dhe prej dritares së saj mund të shohësh fushën e basketbollit në Shtëpinë e Bardhë, ku Barak Obama luan basketboll në kohë të lirë. Rrënjët e agjencisë të cilën ajo drejton shtrihen rreth 70 vjet më parë, në kohën e qeverisjes së Rusveltit. FDIC u krijua nga Kongresi amerikan, edhe pse u kundërshtua deri në momentin e fundit nga bankierët më të mëdhenj të vendit, në vitin e largët 1930. Përmes kësaj zyre, qeveria do të ushtronte pushtetin e saj ndaj bankave që qeveriseshin keq dhe do të mbikëqyrte edhe depozitat e qytetarëve. Por sigurisht që bankat kanë bërë ç’është e mundur që agjencia e vogël të qëndronte sa më larg dyerve të tyre të larta dhe të mos e fuste shumë hundën në biznes. Bair u emërua në postin ku është sot nga Bush në vitin 2006 dhe kur e mori detyrën e dinte fort mirë se situata nuk ishte aspak e mirë në fushën e huadhënies bankare dhe në bankat në tërësi, të cilat kishin mangësi të mëdha dokumentacioni të operacioneve të tyre, kryesisht në fushën e huadhënies. Edhe pse rregullimi dhe mbikëqyrja e këtyre standardeve ishte në fakt detyra e Rezervës Federale, Bair autorizoi stafin e vet që të krijonte një bazë të madhe të dhënash për ta pasur situatën nën kontroll. “Ajo që pamë ishte e jashtëzakonshme”, thotë Bair. Kur u vu në dijeni për situatën katastrofike të shumë bankave, Bair nisi takimet me shefat e tyre të mëdhenj, duke u thënë privatisht që në pranverën e vitit 2007 që të shmangnin kreditë e pabazuara në një dokumentacion të sigurt. Bankat nuk ia vunë veshin, ndaj Bair e bëri publik shqetësimin e saj. “Ne kemi një problem shumë të madh me bankat”, deklaroi ajo në një konferencë të bankierëve më 4 tetor të vitit 2007. Kundërpërgjigjja ishte shumë armiqësore në drejtim të saj. “Ata ishin të gjithë të tronditur dhe të tërbuar. Mendova se do të më qëllonin me domate në fytyrë”, thotë sot Bair. Por ajo kishte pasur plotësisht të drejtë në lidhje me krizën që ishte në prag. Në fund të vitit 2008, 25 banka falimentuan dhe u morën nën zotërimin e agjencisë së saj, FDIC, përfshi edhe “Washington Mutual”, që është edhe banka më e madhe e falimentuar në historinë e Shteteve të Bashkuara. Në fund të vitit 2009, 140 banka të tjera falimentuan. Në takimet private me rregullatorë të tjerë, Bair vazhdonte që të mbante një linjë më populiste. Ajo bëri shumë propozime për menaxhimin e situatës së rëndë, duke u përplasur në mënyrë të vazhdueshme dhe mjaft të egër edhe me njerëzit më të fuqishëm dhe të pushtetshëm të Wall Street. Sot ajo mendon që tensioni i tepërt i atyre kohëve mund të ishte shmangur plotësisht. Gjatë ditëve të vështira të vitit 2008, Bair u përball me shumë kritika dhe presion, duke qenë se arriti që të thoshte në publik atë që shumë të tjerë as do të kishin guxuar ta mendonin. Të shumtë ishin meshkujt e pushtetshëm që nuk e kuptonin mirë forcën dhe këmbënguljen e guximshme të kësaj gruaje, e cila u ishte bërë ferrë nëpër këmbë. Por për Bair një sfidë e tillë nuk ishte aspak e re. Ajo ka lindur në Kansas, bijë e një mjeku kirurg dhe e një infermiereje, në periudhën e Depresionit të Madh. Mban mend shumë mirë borxhet në të cilat futej shpesh familja e saj. Në vitin 1981 ajo shkoi në Uashington për të punuar për senatorin republikan, Bob Doll, dhe në vitin 1990 Doll e inkurajoi Bair që të kandidonte për një post në Senat. Doll ishte mentori i saj gjatë gjithë periudhës së parë të karrierës së saj politike, por edhe më pas. Por në garën e saj në Senat Bair humbi dhe e kuptoi menjëherë më pas se shkaku ishte se ishte femër dhe e pamartuar. Kjo e bëri Bair më të vendosur për të arritur objektivin e saj. Dhe këtë e bëri realitet. Tashmë agjencia e drejtuar prej saj ka marrë nën mbikëqyrje 68 banka dhe sipas Bair, kulmi i falimentimeve të bankave pritet këtë vit. Aktualisht ajo është duke e nxitur Kongresin që ta vendosë agjencinë e saj në krye të likuidimit të firmave jobankare financiare, si kompanitë e sigurimeve, të cilat janë një burim rreziku i vazhdueshëm. Nëse do të arrijë të ketë sukses, ajo do të jetë e lumtur që të lërë postin në vitin 2011, kur i përfundon edhe mandati. Ndër të tjera, ajo është edhe autorja e dy librave për fëmijë dhe tashmë ka nisur që të mendojë për të shkruar kujtimet e saj.
Aktivistja e konsumatorëveSi Bair, edhe Elisabeth Warren vjet nga shtresa e mesme. Ajo ka lindur në Oklahoma dhe ishte vajzë me tre vëllezër më të mëdhenj. Në moshën 19-vjeçare u martua dhe kur ishte 22 vjeçe pati fëmijën e parë. Nisi shkollën e ligjeve dhe më pas nisi punën si konsulente ligjore në një firmë të Wall Street. “Ende mbaj mend një nga partnerët e mi që më mori mënjanë dhe më tha: ‘Mos mendo kurrë se këta meshkuj që sheh rrotull do të duan që të bëjnë një femër partnere në biznes’”. Por pikërisht kjo fjali e bëri që të mendohej mirë dhe ta ndante mendjen se nuk kishte asgjë që nuk mund ta arrinte në punën e saj. Kryesisht gjatë viteve në vijim punoi për ligjin e falimentimit dhe më pas dha edhe mësime në “Harvard”, derisa në vitin 2008, pas falimentimit të “Lehman Brothers”, ajo u vendos në krye të TARP. Në këtë pozicion nisi menjëherë që të kërkonte më shumë transparencë nga Departamenti i Thesarit dhe më shumë përpjekje për t’i ndihmuar huamarrësit që ranë në vështirësi nga kriza. Ajo është një lloj intelektualeje që del nëpër shumë emisione dhe veprimtari.
E guximshmjaNë njërën prej mureve të SEC shkruhet në një tabelë: “Si t’i ndihmojmë investitorët”?
Schapiro filloi punën në SEC në vitin 1988. Kur Presidenti Obama e zgjodhi në vitin 2009 për të drejtuar agjencinë, kjo e fundit ishte në një situatë shumë të rëndë, pas shumë dështimesh në identifikimin e skemave mashtruese dhe problemeve të mëdha me të cilat po përballeshin bankat amerikane. Turpi ishte jo vetëm profesional, por edhe moral, pas daljes së skandalit se zyrtarët e agjencisë e kalonin kohën duke parë video porno në internet. Por kur mbërriti “zonja e hekurt” në krye të agjencisë, gjërat ndryshuar rrënjësisht. Gjatë vitit të saj të parë të punës ajo mori edhe të tjerë në stafin e saj dhe riorganizoi gjithë mënyrën e mbledhjes dhe analizimit të të dhënave. Gjithë kjo punë kulmoi me akuzën e ngritur ndaj bankës së fuqishme “Goldman Sachs” në prillin e kaluar, që në fakt përbënte një hap të rëndësishëm dhe unik.
Të tria gratë për të cilat folëm, kanë kaluar përvoja të jashtëzakonshme në një botë krejtësisht mashkullore, por sipas tyre, tashmë po përgatiten që të futen në lojë edhe gra të tjera të zonjat, të kualifikuara dhe të pushtetshme.
#